Krerët e drejtësisë: Viti 2020 do të shënojë fundin e lëndëve të vjetra

Në një konferencë për media pas takimit të mbajtur të Bordit të Agjendës “Drejtësia 2020”, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe dy kryesuesit e këshillave, Nehat Idrizi dhe Bahri Hyseni, u zotuan se viti 2020 do të shënojë fundin e lëndëve të vjetra që presin zgjidhje në gjykatat e Kosovës.

Përmbyllja e tranzicionit në sistemin e drejtësisë, avancimi i progresit dhe rikthimi i plotë i besimit të qytetarëve në shtetin ligjor ishin në fokus të diskutimit të takimit të parë të këtij formati për vitin 2019.

Bordi i Agjendës “Drejtësia 2020”, i përbërë nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, si dhe me pjesëmarrjen e ambasadores së EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, shefit të sektorit politik, ekonomik dhe për integrime europiane në Zyrën e BE-së, Riccardo Serri, zëvendëses së Zyrës Politike dhe Ekonomike në ambasadën e ShBA-së në Prishtinë Alison Storsve, kanë përcaktuar prioritetet e tremujorit të parë të këtij viti.

Përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë kosovare kanë shprehur përkushtimin e tyre të plotë ndaj fuqizimit të fushës së sundimit të ligjit në Kosovë, duke theksuar se agjenda e përbashkët “Drejtësia 2020” është e fokusuar në masa konkrete të planifikuara dhe me afate kohore të përcaktuara.

Nga ana tjetër, partnerët zhvillimorë kanë shprehur përkrahjen dhe mbështetjen e tyre të plotë me ekspertë dhe burime të tjera për këtë projekt, në mënyrë që kjo agjendë të ketë sukses.

“Drejtësia 2020” është e fokusuar në masa konkrete që synojnë përmirësimin e shpejtë të menaxhimit dhe efikasitetit brenda sistemit të drejtësisë, rrjedhimisht janë përcaktuar pesë tema për të cilat është arritur pajtimi që të punohet në mënyrë intensive në muajt vijues, e që janë diskutuar sot.

“Reduktim i lëndëve të vjetra; themelimi i mekanizmave për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve në kuadër të dy Këshillave; themelimi i Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës”, janë pesë segmentet ku do të fokusohet “Drejtësia 2020”.

Përveç rregullimi të sistemit gjyqësor, pjesë e ndryshimeve të “Drejtësia 2020”, u përmend edhe rritja e numrit të noterëve.