Foto: Kallxo.com

KQZ emëron 35 asamblistë të rinj të komunave të Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka arritur të mbajë mbledhjen e tij të parë pas një viti bllokadë.

Sot anëtarët e rinj të KQZ-së votuan edhe për zëvendësimin e 35  asamblistëve për disa nga  Kuvendeve Komunale në Gjilan, Istog, Mitrovica e Veriu, Mitrovica e Jugut, Lipjan, Viti, Pejë, Novobërdë, Rahovec, Vushtrri, Gjakovë, Gllogoc, Podujevë, Zubin Potok, Suharekë, Skenderaj.

Vendimi i parë i cili u mor nga KQZ sot ka qenë zëvendësimi i një deputeti të PDK-së.

Muaj më parë, Nezir Çoçaj kishte dhënë dorëheqje nga ulësja e deputetit, por zëvendësimi i tij nuk ka mundur të bëhet për shkak të mosfunksionimit të KQZ-së.

Ndërsa sot, anëtarët e KQZ-së  miratuan rekomandimin për Zyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës, për kandidatin e radhës për deputet të Kuvendit të Kosovës.

Në vend të Çoçajt, ulësen e deputetit prej sot e ka marrë Rafet Rama.