Votimet për balotazhin 2017 - Foto: Atdhe Mulla

KQZ: Deri në Ora 15:00 Votuan 24.44% e Votuesve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, njoftoi se deri në ora 15:00 në zgjedhjet për kryetarin e 19 komunave kanë marrë pjesë 331.076 votues ose 24.44 për qind e 1.358.307 votuesve me të drejtë vote në balotazh.

Nga 38 komunat e vendit, 19 nuk arritën të zgjedhin kryetarët në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale që u mbajt më 22 tetor.

Ndërsa, në komunën e Parteshit do të rivotohet për kryetar të Komunës. Kjo pas ankesës së bërë në PZAP nga njëri prej kandidatëve, i cili kishte denoncuar parregullsitë në disa vendvotime. Ankesa ishte pranuar si e bazuar dhe KQZ ishte urdhëruar të organizojë rivotimin.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, të drejtë vote në votimet e sotme kanë 1.353.613 votues.

Numri i qendrave të votimit është 614 ndërsa ai i vendvotimeve 1.777.

Ndërsa, në rivotimin për kryetar të Komunës së Parteshit të drejtë vote kanë 4.694 votues. Numri i qendrave të votimit është 3 e i vendvotimeve 7.

Vendvotimet janë hapur në ora 07:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00.

Në zgjedhjet e sotme votohet për kryetar të: Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Mitrovicës, Ferizajt, Obiliqit, Suharekës, Gjakovës, Malishevës, Rahovecit, Kamenicës, Kaçanikut, Dragashit, Podujevës, Istogut, Klinës, Shtimes, Vushtrrisë dhe Kllokotit.