Konferenca për rrezikun bërthamor | Foto: KALLXO.com

Kosova ‘Të Ndezë Alarmin’ ndaj Kërcënimeve Bërthamore

Ambasadori i OSBE-së në Kosovë Jean-Claude Schlumberger tha se kërcënimet terroriste me armë bërthamore janë problem global.

“Është e rëndësishme që Kosova të mbetet e alarmuar dhe ta rrit vigjilencën për mbrojtjen nga kërcënimet ndaj sigurisë bërthamore,” tha Schlumberger.

Ai shtoi që kontrolli i kufijve është mundësi e mirë e parandalimit të kërcënimeve bërthamore.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha që Kosova obligohet nga MSA-ja ta kompletojë legjislacionin që rregullon veprimet në rast të kërcënimeve të tilla.

“Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit e detyron Kosovën që ta sjellë legjislacionin kombëtar në fushën bërthamore andaj edhe Qeveria e Kosovës po punon në këtë drejtim për mbrojtjen nga rrezatimi dhe kërcënimet bërthamore,” tha Mustafa.

Kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe për Siguri Bërthamore Beqir Mezelxhiu tha se Kosova është duke ngritur kapacitetet ndaj këtyre rreziqeve.

“Qeveria e Kosovës është në rrugë të mbarë për hartimin e fushës ligjore për mbrojtjen nga rrezatimi dhe rreziku bërthamor,” tha Mezelxhiu.

Ai e dha një lajm  të mirë.

“Agjencia është duke bërë analiza radiologjike të ujit të pijshëm dhe sipas këtyre analizave, uji në Kosovë ka dalë me standarde dhe cilësi të lartë,” tha Mezelxhiu.

Ai deklaroi se theks i veçantë është duke iu kushtuar bashkëpunimit me shtetet rajonale me të cilat po mundohen të krijojnë një siguri më të madhe.

Konsulenti kryesor nga qendra e cila ofron shërbime të specializuara të energjisë bërthamore (ENCO) në Austri, Bojan Tomiq,  tha se Kosova nuk ka vend të mirë për ruajtjen e burimeve radioaktive dhe se një i tillë duhet të bëhet sa më shpejt.

“Kosovës i mungon një vend për ruajtjen e burimeve radioaktive. Kolegët nga Mali i Zi kanë bërë një punë të mirë në largimin e disa burimeve radioaktive në Kosovë të cilat nuk kanë qenë të sistemuara, ato tani janë mbledhur dhe ruhen në  një vend të përshtatshëm,” tha ai.

Konferenca regjionale “Kërcënimet ndaj Sigurisë Bërthamore” do të vazhdojë edhe nesër me të gjeturat dhe rekomandimet për mbrojtjen nga ky kërcënim.