Kosova e Do Demarkacionin me Serbinë në 2016

Ende pa u shuar dilemat për demarkacionin Kosovë- Mali i Zi, Kosova pritet të fillojë dialogun për demarkacion me një shtet tjetër.

Kësaj radhe, Kosova do t’ia nisë bisedimeve për ta caktuar vijën kufitare me një shtet i cili nuk ia njeh pavarësinë dhe, rrjedhimisht, as kufijtë e saj.

Bëhet fjalë për demarkacionin me Serbinë.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për KALLXO.com, ministrja e Kosovës për Dialog, Edita Tahiri.

Ajo tha se ende nuk dihet saktë se kur do të fillojnë takimet në Bruksel, pasi që gjatë kësaj jave në Kosovë pritet të qëndrojë një delegacion i lartë nga Brukseli i drejtuar nga Angelina Eichorst, një përfaqësuese e kryediplomates së BE-së, Federica Mogherini.

“Çështjet që ne dëshirojmë t’i diskutojmë në këtë fazë, në 2016 është demarkacioni i kufirit në mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë”, tha Tahiri për KALLXO.com.

Ndërsa tema tjera që, sipas saj. pritet të ngiten në fillim të vitit 2016 është edhe  zhbërja e të gjitha strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, që është edhe kusht i Kosovës, dhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Para se të fillojë procesi i hartimit të statutit që ende s’ka filluar (për Asociacionit) në të njëjtën kohë do të fillojë puna e grupeve në Bruksel, për të zhbërë të gjitha strukturat paralele të Serbisë në Kosovë”, tha ministrja Tahiri.

Edita Tahiri, Ministre për Dialog
Edita Tahiri, Ministre për Dialog

Themelimi i këtij asociacioni, i nënshkruar në gusht të vitit të kaluar ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, ka ngecur për shkak të kundërshtimeve të ashpra të opozitës dhe një vendimi të Gjykatës Kushtetuese e cila tha se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Tahiri tha se përfaqësuesit e Kosovës e kanë bërë të qartë në Bruksel se nuk mund ta mbështesin themelimin e asociacionit pa u zhbërë deri në zero strukturat e Serbisë në Kosovë.

Ajo u shpreh se përfaqësuesit e Kosovës në bisedime të nivelit politik, do t’i shqyrtojnë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin, por mohoi mundësinë e përmbysjes së marrëveshjes së nënshkruar nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Gjykata Kushtetuese nuk e ka kthy marrëveshjen në rinegocim, nuk e ka kthy asnjë pikë të saj në rinegocim, por Gjykata Kushtetuese ka dhënë propozime që në procesin e hartimit të Statutit të respektohen të gjitha udhëzimet, dhe ne do të respektojmë të gjitha udhëzimet që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese”, tha Tahiri.

Sipas saj, vetë dokumenti është “marrëveshje e parimeve”.

“Gjithmonë gjuha e qartë e dokumentit të parimeve përkthehet në bazën juridike, dhe pikërisht Statuti është një akt juridik, ku ne do të jemi të qartë në parimet e Kushtetutës”, tha ajo.

Tema të tjera që pritet të diskutohen në vitin 2016 në kuadër të dialogut, sipas Tahirit, do të jenë edhe dëmshpërblimet nga lufta dhe të  pagjeturit.

Ndërsa pritet të diskutohet edhe për mundësinë e fillimit të diskutimeve për transportin hekurudhor dhe ajror.

Përveç dialogut politik, me 18 janar pritet të fillojë edhe dialogu teknik mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë fazë, do të diskutohet për zbatueshmërinë e marrëveshjeve në mes dy vendeve që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë, njohjen e diplomave dhe kadastrat.