Ilustrim

Kosova 'burim dhe destinacion' për trafikimin e qenieve njerëzore

Sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh), të cilin e ka pranuar ministri i Brendshëm, Bejtush Gashi, gjatë pesë viteve të fundit, Kosova është një vend burimi dhe destinacioni për burrat, gratë dhe fëmijët që i nënshtrohen trafikimit seksual dhe punës së detyruar.

“Shumica e viktimave të trafikimit seksual në Kosovë janë vajza, edhe pse grupet kriminale të Kosovës i detyrojnë gratë nga Shqipëria, Moldavia, Rumania, Serbia dhe vendet e tjera evropiane të prostituojnë. Gratë dhe vajzat i nënshtrohen trafikimit seksual në shtëpi dhe apartamente private, në klubet e natës dhe sallat e masazheve”, thuhet në raport.

Në raport thuhet se fëmijët nga Kosova, Shqipëria dhe vendet e tjera fqinje detyrohen të kërkojnë lëmoshë brenda vendit.

Po ashtu thuhet se komunitetet e margjinalizuara, romë, ashkali dhe egjiptian janë të cenueshëm ndaj lypjes së dhunshme dhe trafikimit seksual.

“Korrupsioni qeveritar krijon një mjedis që mundëson krimet që lidhen me trafikimin. Disa punonjës policie, punonjës të ministrisë së punës dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë janë akuzuar ose dënuar për krime të trafikimit”, theksohet në raport.

Qeveria e Kosovës konsiderohet se nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, megjithatë, sipas tyre ajo po bën përpjekje të konsiderueshme.

“Qeveria demonstroi përpjekje në rritje në krahasim me periudhën e mëparshme raportuese, prandaj Kosova mbeti në nivelin e 2-të. Qeveria demonstroi përpjekje në rritje duke dhënë udhëzime për identifikimin proaktiv të viktimave dhe kryerjen e hetimeve të përbashkëta proaktive me inspektorët e punës, prokurorët dhe punonjësit social”, thekson raporti.

Sa i përket të arriturave për luftimin e trafikimit përmendet që, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit e ka emëruar një koordinator special për trafikimin dhe një bazë të dhënash të re për të monitoruar rastet e trafikimit.

Në raport janë prezantuar të dhënat se qeveria ka ndjekur penalisht 27 të pandehur (56 në 2016), duke përfshirë edhe një të pandehur për “shfrytëzimin seksual të një viktime të trafikimit.”

“Gjykatat dënuan 29 trafikantë (24 në 2016). Gjyqtarët vazhduan të lëshonin dënime nën minimumin e dënimit me pesë vjet burgim; një trafikant mori pesë vjet burgim dhe një gjobë prej 5,000 euro, dhe 14 trafikantë morën dënime mes 18 muaj dhe tre vite dhe shtatë muaj, por shtatë trafikantë morën dënim me kusht dhe shtatë nga trafikantët morën gjoba nga 600 euro deri në 3,600 euro”, vazhdon raporti.

Sipas tyre gjykatat nuk kanë zvogëluar numrin e lëndëve të mbetura te rastet e trafikimit.

“88 raste mbetën të hapura nga vitet e mëparshme”, thekson raporti.

Në raport thuhet se korrupsioni dhe bashkëpunimi zyrtar në Kosovë në krimet e trafikimit mbetet shqetësim i rëndësishëm, duke penguar zbatimin e ligjit gjatë vitit.

“Në 2016, prokurorët kanë paditur dy oficerë policie për rastet e veçanta të abuzimit të dyshuar të një pozite zyrtare dhe shfrytëzimit seksual të viktimave të trafikimit.  Në vitin 2014, gjykatat dënuan dy zyrtarë të ministrisë së punës për shpërdorim të pozitës zyrtare për lëshimin e lejeve të punës për 22 punëtorë të huaj, të identifikuar më vonë si viktima të trafikimit dhe gjobitur çdo zyrtar prej 3,000 euro, megjithatë, Gjykata Themelore liroi dy zyrtarët dhe i lejoi ata të rifillonin detyrat e tyre zyrtare”, thekson raporti i DASh.

Më tej në raport thuhet që qeveria ka identifikuar 32 viktima të trafikimit (36 në vitin 2016). Sipas statistikave, nga këta, 18 i janë nënshtruar trafikimit seksual, shtatë punës së detyruar, tre lypjes së detyruar dhe katër skllavërisë (26 iu nënshtruan trafikimit seksual, nëntë punës së detyruar dhe një viktimë skllavërisë në vitin 2016).

“19 fëmijë (18 në vitin 2016), 29 ishin femra dhe tre ishin meshkuj (34 femra dhe dy meshkuj në vitin 2016), dhe 25 ishin nga Kosova, pesë nga Shqipëria, një nga Filipinet dhe një nga Moldavia”, thuhet aty.

Potencohet se qeveria ka ndarë 152,870 euro për mbrojtjen e viktimave, krahasuar me 171,010 euro në vitin 2016.

“Qeveria vazhdoi të ulë fondet për strehimore të OJQ-ve, Qendrat e siguruara nga OJQ-të morën 72,870 euro, krahasuar me 91,010 euro në 2016 dhe 101,930 euro në vitin 2015. Qendra e Strehimit të Përkohshëm mori 80,000 euro në 2016 dhe 2017”, vazhdon raporti.

Te pjesa e rekomandimeve të raportit të DASh thuhet që Kosova të ndjekë penalisht dhe të dënojë trafikantët, duke përfshirë zyrtarët bashkëfajtorë dhe të vendosë dënime më të forta, të siguroj fonde adekuate dhe të qëndrueshme për strehimoret e OJQ-ve, të caktoj prokurorë dhe gjyqtarë të veçantë për të trajtuar rastet e trafikimit, të ofroj trajnime të avancuara për gjyqtarët, prokurorët dhe zbatuesit e ligjit për hetimet dhe ndjekjet penale të trafikimit, të zvogëlojë numrin e lëndëve të pazgjidhura të gjyqësorit, duke përfshirë rastet e lidhura me trafikimin etj.