FOTO: LVV facebook

Hoxha: Rasti Dehari është përdorur politikisht

Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit lidhur me sistemin e drejtësisë në Kosovë është përmendur edhe rasti i Astrit Deharit, aktivistit të LVV-së, i cili ishte gjetur i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

DASH përmend faktin se hetimet për rastin Dehari, nëse ai është vrarë apo vetëvrarë, po vazhdojnë ende.

“Hetimi për vdekjen e aktivistit të partisë Vetëvendosje në vitin 2016, Astrit Dehari, ka mbetur në vazhdim. Dehari është arrestuar me dyshimin për përfshirje në një sulm ndaj Parlamentit. Autoritetet hetuan nëse Dehari kreu vetëvrasje, ndërsa anëtarët e familjes së tij dhe përfaqësuesit e partisë Vetëvendosje pretenduan se ai ishte vrarë për shkak të aktivizmit të tij politik” – shkruan DASH.

Tutje, aty përmenden edhe zhvillimet e fundit në lidhje me këtë rast, si p.sh. zhdukja e mostrave të gjakut e urinës.

Edhe për këtë temë është diskutuar në emisionin “Kallxo Përnime”, ku avokati Valdet Hoxha, ka thënë se ky rast është përdorur politikisht.

“Çdo rast që vonohet aty vetëm drejtësi nuk mund të ketë. Ky rast është shumë i ndjeshëm. Besoj që është zvarritur po e them pa kompetencë, është përdorur politikisht nga palë të ndryshme. Sepse është një rast që duhet të ketë një epilog” – ka thënë Hoxha.

Ai ka kritikuar Qeverinë Kurti që edhe pas dy viteve në pushtet nuk ka bërë asgjë lidhur me këtë rast.

“Tash po kujtohesh që pas dy vjetëve janë vjedhur mostrat, atëherë kjo krijon përceptim tek ne si qytetarë që qe dy vite nuk paska shikuar askush a janë ato mostra aty” – ka thënë Hoxha.

https://kallxo.com/lajm/haxhiu-jane-zhdukur-mostrat-e-astrit-deharit-nga-instituti-i-mjekesise-ligjore-video/