Garda Ceremoniale e FSK-së - Foto: KALLXO.com

Kornizohet Angazhimi i Gardës Ceremoniale të FSK-së

Projektligji për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” nuk do t’i lërë më “peng” të vizitorëve pjesëtarët e FSK-së.

Ky Projektligj, i cili përbëhet nga 14 nene, në nenin e parafundit ku flet për Gardën Ceremoniale, thotë që angazhimi ceremonial i pjesëtarëve të kësaj njësie do të bëhet në rastet e manifestimeve shtetërore dhe në raste të veçanta me kërkesë paraprake.

Kështu u tha sot në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor, ku në takim informues ishin Idriz Blakaj, drejtor i Agjencisë për Mbrojtje të Komplekseve Memoriale dhe Musa Dragusha, kryetar i grupit punues, i caktuar nga Oda e Avokatëve.

Neni 12 përkufizon se Garda Ceremoniale e FSK-së do të vendoset në mënyrë permanente në objektin e veçantë të Kompleksit dhe do të shërbejë si “Roje Nderi”, se angazhimi ceremonial i pjesëtarëve të kësaj njësie do të bëhet në rastet e manifestimeve shtetërore dhe manifestimeve të tjera të përcaktuara me rregullat protokollare të shtetit si dhe në raste të veçanta komandanti i FSK-së mund ta angazhojë Gardën Ceremoniale sipas kërkesave të institucioneve shtetërore.

Sipas deputetëve, ky Projektligj plotëson kushtet për të kaluar si ligj dhe e vetmja gjë që i mungon është lektura.

Për këtë Projektligj me gjithsej 14 nene për më shumë se tre muaj kanë punuar 12 ekspertë të fushës së hartimit të fushës së normativës ligjore dhe 12 të tjerë të lëmenjve të ndryshëm si historiani, etnologë, arkitektë dhe ekspertë financiarë.

Ky Projektligj ka qenë i paraparë të hartohet nga Agjencia për Mbrojtjen e Komplekseve Memoriale por meqë kjo Agjenci nuk ka pasur ekspert i është drejtuar Odës së Avokatëve për ndihmë.

Projektligji i vonuar nga deputetët i cilësua si i rëndësisë së veçantë.

Në fund u formua edhe grupi punues në krye me deputetin Shaip Muja.