Korab Sejdiu (Deputet). Foto: Atdhe Mulla

Korab Sejdiu: Gjyqtarët dhe Prokurorët Serbë nuk u Betuan nën Republikën e Kosovës

Deputeti i Pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu publikoi dokumentet e dekretimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë si pjesë e marrëveshjes ndërshtetërore të drejtësisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet joshumicë në Republikën e Kosovës u bë më 24 tetor nga Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi në një event të mbyllur për media.

Meqënëse Presidenca nuk publikoi asnjë nga dokumentetet e këtij dekretimi, deputeti Sejdiu kishte dërguar kërkesë për qasje në dokumente publike nga ku mori dhe publikoi deklaratën e betimit të këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sipas postimit të tij në Facebook dhe dokumenteve të bashkëngjitura, gjyqatarët dhe prokurorët serb kanë përdorur një tekst të betimit që nuk përmend askund Republikën e Kosovës.

Sejdiu në postimin e tij thotë se ky test i betimit dallon nga ai i zakonshmi për gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë.

“Këta gjyqtarë dhe prokurorë janë emëruar me dekret të njëjtë sikur të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë në Republikën e Kosovës. Këta gjyqtarë dhe prokurorë janë emëruar pa dhënë betim të njëjtë sikur që e jepin të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë që kyqen në sistemin e drejtësisë të Republikës së Kosovës”, shkroi Sejdiu në Facebook.

Ai vuri në pikëpyetje integritetin dhe besnikërinë e këtyre punëtorëve të sistemit të drejtësisë ndaj shtetit të Kosovës.

“Koha do ta tregojë nëse gjyqtarët dhe prokurorët në fjalë janë integruar në sistemin e drejtësisë të Republikës së Kosovës dhe nëse do të punojnë për këtë vend”, shtoi ai.

Të bashkangjitura janë fotografitë e dokumenteve të publikura nga Sejdiu.