Konfiskohen rreth 70 kilogramë drogë në Rahovec

Policia e Kosovës më saktësisht Njësiti i Antidrogës në një aksion të ndërmarrë në rajonin e Gjakovës kanë konfiskuar një masë prej rreth 70 kilogramëve lëndë narkotike të llojit marihuanë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe Zëdhënësi i Policisë së Departamentit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

“Sot, me datë 07.05.2019,  rreth orës 14:00, njësiti i antidrogës në Gjakovë i cili njësit është në kuadër të Drejtorisë për hetimin e trafikimit me narkotikë në Policinë e Kosovës, ka siguruar informacione relevante se një person i dyshuar në Rahovec mbanë në posedim në pronën e tij sasi të substancave të dyshuara narkotike. Pas vlerësimit të situatës, janë aktivizuar njësitet kompetente policore në rajonin e Gjakovës dhe në konsultim edhe me organet e drejtësisë është realizuar një kontrollë/bastisje në objektet e që dyshohej se ishin në shfrytëzim nga personi i dyshuar”, ka thënë Hoxha për KALLXO.com.

Ai tregoi edhe se ku ishte fshehur marihuana.

“Nga realizimi i këtij operacioni kontrolli ka rezultuar me gjetjen dhe konfiskimin e tri (3) çantave/paketimeve najloni, ngjyrë të zezë të mbushura me substancë në formë bari ngjyrë e gjelbër e dyshuar si substancë narkotike e llojit Marihuanë dhe pesha e tyre ka rezultuar të jetë 67 kilogram”, shtoi Hoxha.

Ai tutje tregoi se në lidhje me rastin është arrestuar një person.

“Njësitet kompetente policore, përfshirë edhe ato të krim teknikës kanë kryer procedurat e nevojshme në vendin e ngjarjes për sigurimin e dëshmive materiale dhe një person është arrestuar nga policia ,i cili me urdhër të prokurorit kompetent ndalohet për 48 orë për vazhdimin e procedurave tjera ligjore”, tha Hoxha për KALLXO.com.