Dëgjimi publik | Foto: Komuna e Prishtinës

Komuna Shpjegon Pse nuk Ndërtoi Shkollë në ‘Veternik’

Sipas komunikatës së Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ua shpjegoi atyre se vetë penguan ndërtimin e shkollës.

“Sa i përket lagjes së ‘Veternikut’ dhe mungesës së shkollës, çerdhes dhe ambulancës, kryetari Ahmeti tha se Komuna i ka pasë të ndara 450 mijë euro për ndërtimin e shkollës, mirëpo asnjë prej banorëve nuk pat treguar gatishmëri që pronën private ta shkëmbejë me komunën për të siguruar hapësirë për ndërtim,” thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, Ahmeti i porositi qytetarët e asaj lagjeje që të legalizojnë objektet e tyre të ndërtuara pa leje dhe t’i paguajnë shërbimet komunale, sepse kjo është e vetmja mënyrë që të sigurohen shërbimet më të mira dhe më efikase.

Qytetarët pyetën edhe për aktivitetet në Sheshin “Zahir Pajaziti”.

“Në pyetjen për organizimin e festimeve dhe aktiviteteve të ndryshme në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’, kryetari Ahmeti tha se vetëm afër 25 për qind të kërkesave për organizime janë miratuar dhe që të gjitha kanë leje vetëm deri në ora 23:00 dhe jo më tepër,”vijon shpjegimi në komunikatë.

Dëgjimi vazhdoi edhe me diskutime për subvencionimin e prindërve për koston e çerdhes, planin rregullativ të lagjes “Kalabria”, emërtimin e rrugëve në Prugovc dhe transportin publik në Koliq.