Komuna e Mamushës Largon Edukatoren nga Puna

Drejtoria e Arsimit në Mamushë ia ndërpreu marrëdhënien e punës edukatores Indira Haliti pas kërkesës së disa prindërve për largimin e saj.

Edukatorja e mësimit parafillor në Shkollën ‘Zybejde Hanëm” të Mamushës Indira Haliti kur flet për KALLXO.com largimin e saj nga puna e konsideron të padrejtë.

“Problemi im është që para disa dite kam marrë një njoftim prej Drejtorisë së Arsimit që të më ndërpritet marrëdhënia e punës, por në këtë njoftim nuk ka asnjë akt, apo ligj që mua më rëndon për kryerjen e punës në mënyrë jo të rregullt nga ana ime,” tha Haliti.

Në kërkesën e prindërve për largimin e kësaj edukatoreje thuhet se ajo nuk ka treguar sukses me nxënësit, ka pasur sjellje të keqe dhe shpeshherë ka munguar.

Edukatorja Haliti i mohon ato që thuhen në letrën e nënshkruar nga prindërit.

“Për sa i përket mungesave unë çdoherë kur kam munguar në raste urgjente kam marrë leje nga drejtori. Mungesa pa arsye sa jam e vetëdijshme nuk kam bërë dhe sjellje të keqe nuk kam bërë, sepse sjellja e keqe duhet të ketë njëfarë dëshmie. Nuk kam rrahur asnjë fëmijë, nuk e kam maltretuar as psikikisht e as fizikisht, besoj që këta prindër duhet të kenë një dëshmi që unë kam bërë sjellje të keqe,” tha Haliti.

Edukatorja Haliti, pretendon se prindërit kanë qenë të ndikuar nga nënkryetarja e komunës, ngase nuk kanë asnjë bazë faktike për atë që kanë nënshkruar.

“Këta prindër të cilët kanë nënshkruar, disa prej tyre kurrë nuk kanë pasur fëmijë te unë dhe nuk e di a janë prindër, a kanë fëmijë në ciklin e lartë shkollor, as nuk i njoh, kanë qitur këtu nënshkrimin. Unë vij nga një fshat tjetër, nga një komunë tjetër, këtu jam punësuar para 6 vjetëve me konkurs të rregullt, por nuk i di arsyet politike të komunës për të më larguar nga puna,” tha Haliti.

KALLXO.com kontaktoi me disa nga prindërit të cilët kanë nënshkruar letrën për largimin e edukatores nga puna, mirëpo shumica prej tyre nuk deshën të flasin.

Ajet Sadiku, i nënshkruari i parë në letrën e prindërve, del të mos ketë pasur asnjëherë fëmijë të tij në klasën e edukatores Haliti. Ai tha për KALLXO.com se fëmija i tij vetëm tash është gati për mësim parashkollor, ndërsa nuk pati përgjigje për sjelljet e edukatores.

Nënkryetarja e Komunës së Mamushës, Ganimete Sadiku, e cila kishte kërkuar nga Drejtoria e Arsimit largimin nga puna të edukatores, tha se ka qenë e obliguar që t’i përkrahë prindërit të cilët kishin kërkuar largimin e edukatores Haliti.

“Ju kërkoj falje po për vendimin duheni me e pyet drejtorin (e arsimit). Kërkesën e prindërve edhe timen drejtori i ka pasë, të dyjat i ka, edhe me ato kërkesa ka shku drejtori,”shpjegoi Sadiku.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Mamushës, Xhafer Morina vendimin për largimin e edukatores e arsyetoi me kërkesën e prindërve dhe nënkryetares së komunës.

Megjithatë, ai e pranoi se edukatorja Indira Haliti nuk kishte ndonjë vërejtje të shqiptuar për punën e saj

“Unë nuk kam pasë asnjë vërejtje deri më tash, vetëm në bazë të kërkesës së prindërve që janë ankuar, se më herët nuk kam pasë asnjë problem më herët,” tha Morina.

Edhe njëri nga kolegët e edukatores Haliti, arsimtari i edukatës fizike Adem Koç e vlerësoi lart punën e saj.

“Si pedagoge është shumë e mirë, si kolegjium shumë mirë kalojmë, muj me thënë se prej krejt paraleles shqipe që punon është më e mira, muj me thënë sikur në futboll qysh është qetash aktiv Mesi dhe Ronaldo, Indira është sikur këta të dy për entin pedagogjik,” tha arsimtari Adem Koç.

KALLXO.com pyeti për rastin e edukatores Indira Haliti në Sektorin e Inspektoratit të Arsimit në Prizren që mbulon edhe Komunën e Mamushës.

Në inspektorat udhëzuan edukatoren që të bëjë ankesë në Drejtorinë e Arsimit në Mamushë dhe pas marrjes së përgjigjes nga drejtoria thanë se ajo mund t’ i drejtohet inspektoratit. Ata treguan se janë të gatshëm për inspektimin e kësaj lënde.