Kompania Kosovare Inovacion i Vitit në Shqipëri

“Formon” ka marrë çmimin “Inovacioni i Vitit”.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një njoftimi “Innovation Centre Kosovo” (ICK), pjesë e së cilës është edhe kompania “Formon”.

“Formon” është kompania e parë në rajon për prodhimin e desktop 3D printerëve.

Rron Cena, shefi ekzekutiv i kësaj kompanie, sipas njoftimit, e vlerësoi këtë fitore si shtytje për risi dhe suksese të reja në të ardhmen.

“Ne jemi shumë krenarë që produkti ynë është zgjedhur fitues. Urojmë që ky çmim të jetë shtytje për ne si kompani dhe gjeneratat e reja që të shfrytëzojnë talentin e tyre për të promovuar vlerat tona mbarëkombëtare,” citohet Cena në komunikatë.

Kompania e themeluar vetëm një vit më parë, mori pjesë në ICT Awards që u organizuan për herë të katërt sivjet, nën patronatin e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

Një 3D printer është një lloj i robotit industrial që arrin të prodhojë objekte tredimensionale të çfarëdo forme përmes të dhënave kompjuterike.

Futurologët madje e konsiderojnë zhvillimin e këtyre printerëve si shenja të një revolucioni të tretë industrial.

Inovacioni i "Formon"-it
Inovacioni i “Formon”-it

Edhe Komuna e Prishtinës sipas një komunikate të saj fitoi çmimin e parë të ICT Albanian Awards në kategorinë e shërbimeve publike.

Çmimi kësaj komune iu dha për e-kioskun, një shërbim digjital për nxjerrjen e dokumeneteve personale.

“NatEv Explorer” një projekt tjetër i përkrahur nga “Innovation Centre Kosovo” (ICK) fitoi vitin e kaluar në një garë të Agjencisë Amerikane të Hapësirës NASA.

Ky projekt lidhej me zbulimin e dukurive të rrezikshme natyrore nga satelitët, në mënyrë që pasojat nga to të ishin më të vogla.

http://kallxo.com/natev-nga-kosova-fiton-garen-e-nasa-s/