Komisioni për Legjislacion fillon procedurat për zgjedhjen e anëtarëve jo prokurorë të KPK-së

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit në mbledhjen e radhës ka nisur procedurat për zgjedhjen e tre anëtarëve jo prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

E për këtë u bë e ditur se duhet të jenë anëtarë, një profesor i Fakultetit Juridik, një përfaqësues nga Oda e Avokatëve dhe një nga shoqërisë civile.

Kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu tha se do njoftohen instucionet, ndërsa për shoqërinë civile do hapet konkurs nga Kuvendi i cili do mbikëqyret nga grupi punues.

“Për  përzgjedhjen e përfaqësuesit të shoqërisë civile, konkursi shpallet nga Kuvendi i Kosovës dhe do të emërohen anëtarët e grupit punues, kurse fakultetit Juridik dhe Odës së Avokatëve i’u shkruajmë që t’i emërojnë anëtarët e tyre“, tha Haxhiu.

Anëtarët e komisionit unanimisht u pajtuan që pjesë e grupit punues për pëzgjedhjen e anëtarit nga shoqëria civile do të jenë: Hajdar Beqa si kryesues, Albulena Haxhiu, Korab Sejdiu dhe Bahrim Shabani si anëtarë.

Komisioni në këtë mbledhje po ashtu shqyrtoi kërkesën e deputetit Arban Abrashi dhe anëtares së bordit të RTK-së Naile Demiri në lidhje me Interpretim të normave ligjore të Ligjit të RTK-së që lidhet me zgjedhjen e Drejtorit të RTK-së.

Anëtarët u dakorduan se komisioni nuk është kompetent dhe ligji për RTK-në është i qartë në lidhje me përzgjedhjen e drejtorit.

Anëtari nga PDK, Hajdar Beqa tha se komisioni nuk ka kompetencë për interpretimin e ligjeve.

Ndërsa, kryesuesja e komisionit, Albulena Haxhiu tha se komisioni ka të drejtë të jepë opinion profesional por jo të interpretojë ligjet.

“Ligji për RTK është tepër i qartë dhe sipas mendimit tim bordi ka bërë shkelje. Duhet me votuar shtatë anëtarë të bordit për me zgjedhë për drejtorin e bordit. Zgjedhja e drejtorit të RTK është në kundërshtim me ligjin për RTK”, tha Haxhiu.

Kurse, anëtari nga LDK, Arben Gashi tha se se kjo cështje duhet të dërgohet në Komisionin për Media dhe Administratë Publike për shqyrtim.