Foto: KALLXO.com

Komisioni e miraton në parim Projektkodin Civil të Kosovës, kritikohet mungesa e ministres Haxhiu

Me 7 vota për dhe 2 kundër Komisioni për Legjislacion e ka miratuar në parim Projektkodin Civil të Republikës së Kosovës.

Fillimisht nga partitë opozitare e kanë kritikuar mungesën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në mbledhjen e këtij Komisioni.

Anëtari i Komisionit nga LDK-së, Driton Selmamaj tha se po bëjnë kompromis për ta votuar Projektkodin në parim, por që kërkoi që në takimet e radhës të jetë e pranishme ministrja Haxhiu.

“Si kompromis po e votojmë në parim sot por të caktohet një takim më ministren para çdo aktiviteti tjetër për më i sqaru na këto çështje”, ka thënë Selmanaj.

Selmamaj tha se është bërë punë e madhe për këtë Projektkod.

“Në njërën anë po e shoh një punë të madhe qe është bërë, sidomos falënderim Zyrës së BE-së. Janë disa tema që në Kosovë për herë të parë kanë me ndodh si p.sh martesat e gjinisë të njëjtë. Deri tash është leju në Kosovë që martesat edhe nën 16 vjet me leje të prindërve tash në këtë ligj është heq krejt. Më kish interesu këndvështrimi i Qeverisë dhe gatishmëria e Qeverisë prej leximit të parë në lexim të dytë. Më këto çështje që ky kod rregullon krejt na në jetën e përditshme”, tha ai.

Edhe anëtarja e Komisionit nga PDK-ja, Blerta Deliu-Kodra tha se ministrja është dashur të jetë në takim.

“Nuk jemi në diskutim për një projektligj të thjeshtë, natyrisht që ministrja është dashtë më qenë sot këtu. Unë e kuptoj që ndoshta ajo nuk mund të ju jap përgjigje një pjese të madhe të pyetjeve që u bën sot, për të cilat ka ndryshime  Po më duhet mos përgjegjësi e ministres mos të vij të jap përgjigje”, tha ajo.

Mungesën e ministres Haxhiu, e arsyetoi kryetari i Komisionit nga Lëvizja, Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.

“Javën e kaluar ka qenë e ftuar ministrja, mbledhja u shty për shkak të seancës që e kishim, është shty për sot, sot nuk ka mundur me ardh ministrja”, tha ai.

Ndërkaq, anëtari i Komisionit nga AAK-ja, Besnik Tahiri e konsideroi hap të madh miratimin e këtij projektligji.

“Fillimisht mendoj që është një hap i madh kodi civil mu miratu në Kosovë. Duhet me diskutu më ministren, për procesin dhe shumë çështje pa hy në procedurë”, theksoi Tahiri.