Gjenerali i KFOR-it në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë | Foto: Ministria e Mbrojtjes

Koçi: Jemi Avokatë të Shndërrimit të FSK-së në Forcë të Armatosur

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Giovanni Fungo, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë, ku u prit nga zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku.

Kryefjala e takimit ishte diskutimi i çështjeve kyçe të sigurisë, mbarëvajtjes dhe vijimit të mbështetjes së vendit tonë për operacionin e NATO-s në Kosovë (KFOR), thuhet në një njoftim të Ministtrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë

Sipas njoftimit, komandanti Fungo shprehu vlerësimin për Shqipërinë dhe Forcat e Armatosura, duke i cilësuar si një partner të besueshëm.

Në njoftim më tutje bëhet e ditur se teksa vlerësoi rolin e KFOR-it, zëvendësministri Koçi foli për nevojën e transformimit të FSK-së në forca të armatosura.

“KFOR garanton siguri dhe stabilitet për gjithë qytetarët e Kosovës. Por nga ana tjetër ne jemi avokatë të vendosur të shndërrimit të FSK në Forcë të Armatosur. Kjo do i shërbejë paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon. Kjo çështje duhet të vazhdojë të diskutohet në radhët e Aleancës”, tha Koçi.

Komandanti i KFOR-it Giovanni Fungo vlerësoi Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë për kontributin e tyre në KFOR, por edhe për sigurimin e rrugëkalimit nga pika hyrëse në portin e Durrësit deri në kufi.

Gjenerali Fungo në fund u nënshkrua në librin e përshtypjeve, ndërsa me gjeneralin shqiptar Bardhyl Kollçaku shkëmbeu dhurata.

Dy gjeneralët më pas vizituan Muzeun e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.