Fehmie Gash- Bytyqi, avokate. Foto: Kallxo.com

Kërkohet Privatësi në Gjykimin e ish- Policit Artim Gashi

Në gjykimin i cili po zhvillohet ndaj ish-policit, Artim Gashi, i akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë ndaj ish të fejuarës, është kërkuar përjashtimi i publikut.

Avokatja e të dëmtuarës Fehmije Gashi- Bytyqi ka kërkuar nga trupi gjykues në krye me gjykatësin Naser Foniqi që të mbyllet seanca për publikun dhe mediet në këtë proces gjyqësor.

Pas seancës, avokatja e të dëmtuarës, Fehmije Gashi- Bytyqi, tha për KALLXO.com se arsyeja e kësaj kërkese është me qëllim të ruajtjes së privatësisë së të dëmtuarës për arsye se e njëjta ka “lëndime të përjetshme shëndetësore”.

“Ajo tani më është studente dhe pas kryerjes së ekzaminimeve shëndetësore e njëjta planifikon që t’i kthehet jetës normale”, shtoi avokatja.

Lidhur me kërkesën e avokates, vendimi do të merret jashtë seancës.

Sipas aktakuzës, ngjarja kritike ka ndodhur më 2 janar të këtij viti rreth orës 9:30, në rr. “Xhavit Ahmeti”, në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se i akuzuari pas një përgatitje paraprake e kishte përcjellë nga shtëpia të dëmtuarën, e cila ishte nisur për provim në Fakultet.

Më tej, aktakuza shpjegon se Gashi fillimisht e kishte ndaluar dhe ishte munduar që me dhunë ta fuste në veturë, mirëpo pasi e dëmtuara  kishte refuzuar, ai me qëllim që ta privojë nga jeta, me armën zyrtare, të llojit “Glock”, e ka goditur atë me një plumb në kokë, saktësisht në syrin e majtë, goditje kjo nga e cila të dëmtuarës ia këputë indet e syrit të majtë, plumbi depërton në tru duke ia shqyer cipën trunore, me ç‘rast i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetë me pasoja të përhershme për shëndetin.

Më pas, i pandehuri ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, ai ngarkohet me veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, si dhe të njëjtit i është konfiskuar arma e përmendur në dispozitivin e kësaj aktakuze.

I pandehuri në deklaratën e tij të dhënë në prokurori më 30 mars 2017, e kishte shfrytëzuar të drejtën e mbrojtjes në heshtje.

http://kallxo.com/shtyhet-gjykimi-ndaj-ish-policit-qe-plagosi-ish-te-fejuaren/