Kërkohet Dënimi i të Akuzuarit për Vrasje

Procesi gjyqësor në Gjykatën e Pejës në rastin e Gjon Pnishit, i akuzuar për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, po i afrohet fundit.

Pnishi akuzohet se në muajin qershor të vitit 2014, tek ura që lidh fshatrat Prapaqan dhe Llukë të komunës së Deçanit e ka privuar nga jeta personin me inicialet F.GJ.

Sipas aktakuzës, derisa viktima po udhëtonte me veturën e tij nga Gjakova drejt Deçanit, i akuzuari në mënyrë dinake ia ka zënë rrugën me automjetin e tij dhe pastaj kishte filluar të shtinte me armën e tij automatike “AK-47” në drejtim të tashmë të ndjerit, të cilit i kishte shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Në seancën e djeshme ishte planifikuar të dëgjohej vetë i akuzuari, por ai vendosi të mbrohej në heshtje.

Ndërsa, Teki Bokshi, avokati i palës së dëmtuar, tha për KALLXO.com se është shumë i bindur se i akuzuari Pnishi do të shpallet fajtor dhe do të dënohet sipas ligjit.

“Mendoj se përfundimi sipas bindjes sonë është se do të vërtetohet fajësia e të akuzuarit për veprën penale për të cilën pandehet”, tha Bokshi.

Sa i përket mbrojtjes së të pandehurit, Bokshi në mënyrë ironike theksoi se provat e paraqitura nga mbrojtja janë totalisht jorelevante për çështjen penale.

“Unë mendoj se ata (mbrojtja) vetëm e kanë mohuar fajësinë, sepse ata faktikisht prova konkrete nuk kanë paraqitur”, tha po ashtu avokati i palës së dëmtuar.

Boshi në fund deklaroi se familjaret e viktimës do të parashtrojnë kërkesën pasurore juridike, të cilën do ta realizojnë në kontestin civil.

Përballja e fundit në mes të palëve në këtë çështje penale do të jetë në seancën për fjalën përfundimtare të palëve, e cila u vendos të mbahet më 10 gusht.