Nga një protestë e gazetarëve | Foto: Facebook
Kelmendi: Do t’u Rrimë mbi Kokë Prokurorëve për Rastet e Gazetarëve
Prokurori dhe koordinatori për rastet e gazetarëve në Prokurorinë e Kosovës, Besim Kelmendi u zotua për prioritet të hetimit të lëndëve për rastet e veprave penale të kryera ndaj gazetarëve.
Në një projekt të mbështetur nga OSBE-ja, Kelmendi u caktua si koordinator për trajtim të veçantë të rasteve ndaj gazetarëve në Kosovë.
Në tryezën e organizuar për prezantimin e këtyre rasteve, Kelmendi u zotua për punë shtesë nga ana e prokurorisë drejt zbardhjes së rasteve të hapura që nga viti 1999.
”Ne e dimë që fatkeqësisht sidomos rastet e vrasjeve kanë mbetur të pazbuluara. Do t’u rrimë mbi koke secilit prokuror qe i ka këto raste dhe do të kërkojmë që këto raste t’i trajtojmë me prioritet. Nuk do t’i privilegjojmë gazetarët, po rastet e tyre do të trajtohen me prioritet”, tha Kelmendi.
Në këtë tryezë, prokurori Bashkim Zeqaj, i caktuar për rastet e gazetarëve, gjithashtu u zotua për punë me intensitet të shtuar për rastet e hapura në prokurori.
Sipas shifrave zyrtare vetëm në Prokurorinë Themelore në Prishtinë janë 90 raste të hapura për kërcënime, dhunë madje edhe vrasje të gazetarëve.
Nga kjo shifër janë 22 aktakuza të ngritura nga prokuroria që janë proceduar në gjykatë.
Shkëlqim Hysenaj, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve shprehu shqetësim për efikasitetin e punës zinxhirore të sistemit të drejtësisë sa i përket zgjidhjes së rasteve ndaj gazetarëve.
“Ka pasur ndryshime pozitive sa i përket prokurorisë duke filluar nga kjo iniciativë. Megjithatë gjykatat vazhdojnë të jenë problem dhe ne nuk po mund të gjejmë një strategji për t’i shtyrë që të punojnë më shumë në këto raste. Shpeshherë gjykatat hezitojnë të merren me rastet e gazetarëve dhe ne si komunitet duhet të jemi vigjilentë dhe të kërkojmë informacione ndaj rasteve tona”, tha Hysenaj.
Vendimi për caktimin e një prokurori të veçantë për hetimin e veprave penale ndaj gazetarëve u mor në mars të këtij viti.
http://kallxo.com/gazetaret-prokuror-te-vecante-qe-heton-kercenimet/