Kelmendi: Po Recitojmë Monologë!

Pas orës 15:00 kur vazhdoi mbledhja e Kuvendit, përsëri për mungesë kuorumi nuk mundi të zgjidhet anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Gazetarja e KALLXO.com numëroi vetëm 38 deputetë të pranishëm në seancë.

Tre kandidatët që konkurruan për këtë pozitë ishin Rexhep Gashi, Azem Hajdari e Xhevdet Halili, ndërsa votimi po për mungesë kuorumi nuk mundi të bëhej as paradite.

Pastaj Kuvendi i Kosovës shqyrtoi Raportin e Komisionit për Integrime Evropiane Lidhur me Mbikëqyrjen e Zbatimit të Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar me Vepër Penale.

Deputetja e PDK-së Lujeta Gutaj- Veselaj, tha se grupi parlamentar i PDK-së mbështet rekomandimet për Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar me Vepër Penale.

Ndërsa, deputeti Gëzim Kelmendi, nuk deshi të diskutojë për këtë pikë, por propozoi që pikat e rendit të ditës që kanë mbetur në këtë seancë të vazhdohen në një seancë tjetër.

Kelmendin e irritoi mosprezenca e askujt nga kabineti qeveritar në këtë mbledhje.

“Me këto kushte çfarë jemi duke punu nuk mundemi me punu në seanca. Së pari e kemi mungesën e kuorumit dhe mungesa e kabinetit qeveritar. Nuk është as produktive, as funksionale kjo formë. Këto pika të vazhdohen në një seancë të re kur ka pika të reja. Jemi duke recitu monologë dhe nuk po funksionojmë si Kuvend në kuptimin e plotë të fjalës,” tha Kelmendi.

Ndërsa, kryesuesi i seancës Xhavit Haliti, tha se në mungesë të kuorumit nuk mund të votohet as për këtë raport dhe propozoi që votimi për pikën 12 të bëhet nesër.

Deputetët aktualisht po e diskutojnë Raportin e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport Lidhur me Mbikëqyrjen e Zbatimit të Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës.

Deputetja e LDK-së Alma Lama tha se çështja e arsimit është një nga më të rëndësishmet në Kosovë.

“Ne duhet ta trajtojmë në mënyrë me të gjerë çështjen e kurrikulës në arsim, veçanërisht me tekstet që po përgatiten pa asnjë lloj kriteri. Kam pa gabime pa fund shkencore. Do të doja që këtë çështje ta trasojmë sërish,” tha ajo.

Sipas saj, Kuvendi duhet të ndërmarrë diçka, qoftë kërkimi i llogarisë në sferën e arsimit, apo në çështjen e buxhetit.

“E ardhmja pa një sistem të mirë edukimi mund të jetë e zymtë,” tha Lama.

Nait Hasani , deputet i PDK-së, kërkoi të shtyhet kjo pikë për diskutim në nivel më të gjerë. Gjithashtu tha se Ministri i Arsimit duhet të jetë prezent për t’i marrë përgjegjësitë.

“Mendoj se ky raport është më serioz. Komisioni e ka bërë një hulumtim të gjatë për këtë ligj. Kemi kërku ta shtyjmë këtë pikë dhe e shohim të paarsyeshme të diskutojmë. Duhet të vijë ministri të marrë përgjegjësi,” tha Hasani.

Edhe Melihate Tërmkolli e kërkoi praninë e ministrit Arsim Bajrami.

“Është e vërtetë që do të duhej të ishte Ministri i Arsimit këtu, po ndoshta nuk e ka pa të nevojshme dhe komisioni nuk ka insistu për këtë drejtim.Ndoshta janë të pavlefshme krejt rekomandimet që i kanë paraqitur. Pse nuk e kanë shtu edhe një rekomandim me thanë a ka Ministër të Arsimit, a jo. Mjetet më të mëdha shkojnë krejt dikah tjetër, e asgjë për arsim,” tha Tërmkolli.

Sipas Tërmkollit vetëm debati i korrigjon rekomandimet e Komisionit për Arsim.

“Këto rekomandime mund të korrigjohen vetëm me një debat. Pa debat këto rekomandime janë veç formale,” tha Tërmkolli.

Luljeta Veselaj-Gutaj, në emër të PDK-së tha se do të kërkojnë sqarime shtesë nga kryetari i komisionit kur të vijë në seancë, ndërsa tha se u japin mbështetje rekomandimeve.

Ajo ka kërkuar nga kolegët deputetë që të votohen rekomandimet e këtij komisioni.

Shpejtim Bulliqi, anëtar i komisionit tha se LDK-ja i përkrah rekomandimet, ndërsa u shpreh i gatshëm të japë sqarime për çdo paqartësi.