Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, Foto: RTV21

Kapitanoviq: Kroacia hyri në BE pasi procedoi krimet e luftës

Kroacia hyri në BE pasi procedoi krimet e luftës dhe bashkëpunoi me Hagën. Kështu tha ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq në shënimin e përvjetorit të pavarësisë së shtetit të saj.

Ambasadorja kroate në Kosovë, Marija Kapitanoviç, foli për rrugëtimin e “vështirë” të Kroacisë drejt Bashkimit Europian (BE) në një ceremoni festive për shënimin e 26 vjetorit të pavarësisë së Kroacisë nga Jugosllavia.

Festë të cilën Ambasada e Kroacisë në Kosovë vendosi ta festojë një ditë para datës reale të shënimit të pavarësisë, si pasojë e lojës në kampionatin botëror që sonte Kroacia kishte me Islandën (të cilën e fitoi me rezultat 2 me 1).

Ambasadorja përmendi faktin se Kroacia këtë vit shënon po ashtu pesë vjetorin e anëtarësimit në BE dhe reformat e vështira europiane që shteti i saj u desh të bëjë për të arritur këtë anëtarësim. Përfshirë procedimin e rasteve penale për krime lufte dhe bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës.

“Në disa ditë, më saktësisht më 1 korrik të këtij viti, Kroacia do të shënojë 5 vjetorin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Është e njohur që Kroacia është anëtari më i ri në BE, dhe anëtarësimi ynë ndodhi në krizën e madhe financiare, dhe një vitin e parë të anëtarësimit Kroacia po ashtu u ballafaqua me krizë emigrantesh dhe në të njëjtën kohë edhe me krizë humanitare. Sa i përket reformave europiane, ne të gjithë kishim kritere që ishin të vështira për shtetet tona. Në rastin e Kroacisë kriteri më i vështirë ishte procedimi i rasteve të krimeve të luftës dhe bashkëpunimi i plotë me Tribunalin e Hagës i cili nuk ishte i lehtë aspak. Një kriter tjetër tejet i vështirë ishte edhe ristrukturimi i kompanive të anijeve që ndikoi dukshëm në skenën ekonomike të vendit. Ishte situata kur shumë njerëz duhej të kërkonin punë tjetër. Pra shtete të ndryshme të Europës duhej të kalonin nëpër vështirësi të ndryshme për të plotësuar kriteret”, tha ajo.

Ambasadorja e Kroacisë deklaroi se marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Kroacisë janë afatgjate, miqësore dhe me një partneritet të përhershëm.

Gjithashtu, ajo tha se në këtë ditë po festohet 10 vjetori i vënies së marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve.

“Kroacia po feston idenë e shtet formimit të saj duke shënuar një festim të pavarësisë së saj. Këtë vit ne shënojmë po ashtu dhjetëvjetorin e vënies së marrëdhënieve diplomatike, si shumë shtete të tjera, me Kosovën e pavarur, më saktësisht në disa ditë në vijim. Marrëdhëniet mes dy shteteve tona janë afatgjate, miqësore dhe me një partneritet të përhershëm. Kontaktet mes dy shoqërive tona janë të vazhdueshme dhe ne çdo ditë takojmë njerëz me emocione të veçanta për dhe me Kroacinë. Njerëzit që kanë studiuar në Kroaci, një pjesë e madhe në Zagreb, dhe që kanë arritur të bëhen pjesë produktiv e shoqërisë europiane i japin një rëndësie të veçantë marrëdhënieve tona. Dëshira jonë është që të mbajmë këtë relacion të ngushtë mes shoqërisë kroate kur vjen te relacionet evropiane”, tha ajo.

Kapitanoviq bëri të ditur se si ambasadë këtë vit kishin mbështetur projektin e një grupi të studentëve i quajtur “Muzeu i marrëdhënieve të thyera”.

“Kontaktet mes shoqërive tona tregojnë se sa shumë të përbashkëta kemi por edhe dallimet që kemi. Ato dallime na bënë që të mendojmë dhe të konfrontohen dhe inkurajojmë njëri-tjetrin dhe të avancojmë aspekte të ndryshëm të shoqërisë sonë andaj duhet të hapim dyert dhe të ndërtojmë edhe marrëdhënie ekonomike. Këtë vit, Ambasade ishte e përkushtuar në veçanti që të mbështes projektin e një grupi të studentëve por do të thoja edhe entuziastëve siç ishe ai i “Muzeut të Marrëdhënieve të thyera”. Përmbajtje të tilla na bënë të jemi edhe më afër dhe të vlerësojmë përvojat e përbashkëta që kemi”, tha ajo.

Për të festuar përvjetorin e pavarësisë së Kroacisë ishte edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe disa nga ministrat e qeverisë, po ashtu edhe personalitete të tjera të jetës politike në vend.

Po ashtu, në festimin e përvjetorit të pavarësisë së Kroacisë morën pjesë përfaqësues nga ambasada të ndryshme të huaja në Kosovë, ku aty u panë ambasadori i SHBAsë, ai i Britanisë së Madhe, Italisë, Gjermanisë dhe Turqisë./21Media