Presidenti Hashim Thaçi gjatë vizitës në Janjevë. Foto: Zyra e Presidentit

Presidenti Premton Ulëse në Kuvend për Kroatët e Malazezët

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka premtuar ulëse të garantuara në Kuvend për përfaqësues të komunitetit kroat dhe malazez në kuadër të procesit të amandamentimit të Kushtetutës.

Komentet e kreut të shtetit u bënë sot në Janjevë ku Thaçi u takua me pjesëtarë të komunitetit kroat në këtë fshat të Lipjanit bashkë me ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq.

Thaçi ka bashkëbiseduar me familjarë të Janjevës si dhe ka kaluar pak kohë në kishën katolike të fshatit për të biseduar me klerin fetar në këtë fshat.

“Kosova është atdhe i gjithë qytetarëve të saj. Komuniteti kroat e jep një kuptim të fuqishëm shtetit tonë, shoqërisë tonë multietnike”, tha Thaçi.

Ai tha se fillimi i procesit të ndryshimeve kushtetuese në Kosovë do të sjellë lajme të mira edhe për kroatët e malazezët.

“Me fillimin e ndryshimeve kushtetuese në Kosovë edhe bashkësia kroate do të jetë pjesë e Kushtetutës së Kosovës dhe përmes procesit të diskriminimit pozitiv do të jetë edhe pjesë e parlamentit së bashku me komunitetin malazez”, tha Thaçi.

Aktualisht, ulëse të garantuara kanë komuniteti serb, turk, boshnjak, rom, ashkali, egjiptas dhe goran të cilët ndajnë 20 vende në Kuvend.

“Ndihem mirë që bashkësia kroate në Kosovë dhe bashkësia shqiptare në Kroaci janë ura lidhëse mes dy shteteve tona dhe shoqërive tona”, tha Thaçi.

Edhe ambasadorja Kapitanoviq lavdëroi marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve dhe kujdesin ndaj pakicave.

“Kujdesi për dy komunitetet, atë kroat në Kosovë dhe atë shqiptar në Kroaci, është shenjë e konfirmimit të bashkëpunimit të mirë që e kemi. Kujdesi për komunitetin kroat është investim për të ardhmen e Kosovës, është shumë i rëndësishëm për marrëdhëniet tona bilaterale”, tha ambasadorja kroate.

Në Janjevë jetojnë rreth 230 kroatë, që si shqetësime kryesore adresuan infrastrukturën e dobët dhe sigurinë publike, për të cilat presidenti Thaçi tha se do t’i adresojë tek institucionet përgjegjëse.