FOTO KALLXO: Kursi i gjuhes kroate ne UP

Gjuha kroate në Fakultetin e Filologjisë në UP, shqipja vitin e ardhshëm në Universitetin e Zagrebit

Në Fakultetin e Filologjisë në Universitet të Prishtinës, sot ka filluar mbajtja e kursit “Gjuhë kroate 1”, lëndë kjo e cila do të mbahet nga profesoresha e Fakultetit të Filologjisë nga Universiteti i Zagrebit, Ivançica Bankoviç-Mandiç.

Dekania e Fakultetit të Filologjisë në UP, Linditë Sejdiu-Rugova dhe ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq pohuan se do të bëhet shkëmbim i kurseve të gjuhës dhe se pritet që të fillojë edhe kursi i Gjuhës Shqipe në Universitetin e Zagrebit.

Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq tha se hapja e këtij kursi të gjuhës kroate ndihmon në forcimin e lidhjes mes dy shteteve, Kosovës dhe Kroacisë.

Ajo gjithashtu tregoi që së shpejti edhe profesorët e Gjuhës Shqipe në Universitet të Prishtinës do të fillojnë me mbajtjen e ligjëratave në Universitet të Zagrebit.

“Gjuha është mjeti i parë për të njohur një kulturë dhe prandaj jam shumë e lumtur që po fillon ky kurs. Studentët do të kenë mundësinë të mësojnë më shumë se sa vetëm gjuhën. Pasi t’i përfundoni studimet këtu do të keni mundësinë që të vazhdoni studimet në Kroaci. Kroacia e ka mbështetur Kosovën për një kohë të gjatë dhe do të vazhdojmë në këtë mënyrë që t’i ndihmojmë Kosovës që të zhvillohet edhe më shumë në sektorë të ndryshëm. Asnjëherë nuk e dini se në cilën mënyrë do t’u drejtojë profesioni kështu që përse të mos mësoni një gjuhë tjetër”, tha ambasadorja.

Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Linditë Sejdiu-Rugova tha se është hera e parë që në Universitet të Prishtinës po fillon kursi akademik i gjuhës kroate dhe se ideja e një investimi të këtij lloji në këtë fakultet ishte e kamotshme.

Hapja e kursit të gjuhës kroate në Kosovë, sipas dekanes nënkupton hapjen e kursit të gjuhës shqipe në Kroaci.

“Kreditë që i fitoni në këtë kurs do të jenë pjesë e studimeve të studentëve në këtë fakultet. Pra, edhe pasi të diplomoni do t’iu shkruhet se keni ndjekur ligjëratat e këtij kursi. Shpresoj që vitin e ardhshëm qeveritë tona do të nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi që të bëjnë të mundur shkëmbimin e studentëve, kulturës dhe njohurive tona. I vetmi kusht për të ndjekur këtë kurs është që të jeni të regjistruar si studentë në UP”, ka thënë Sejdiu-Rugova.

Ndërkaq, profesoresha e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Zagrebit, Ivançica Bankoviç-Mandiç tha se ndjehet shumë e lumtur për ftesën që i është bërë nga Fakulteti Filologjik i UP-së për të ligjëruar gjuhën kroate.

“Dëshira juaj për të mësuar këtë gjuhë të vogël sllave më bën të ndjehem shumë e lumtur dhe jam e gatshme për të filluar mësimet dhe të punojë me juve. Më vjen mirë që unë do të nisë atë që filloi para disa vitesh. Faleminderit për ftesën dhe jam e gatshme që të fillojmë këtë rrugëtim”, ka thënë profesoresha Bankoviç-Mandiç.

Ambasada e Kroacisë në Kosovë ka bërë të ditur se nga muaji mars i vitit 2019, në Universitetin e Zagrebit do të fillojë mbajtja e kursit të Gjuhës Shqipe nga profesorët e departamentit të Gjuhës Shqipe në Universitet të Prishtinës.