Kryetari i Komunës së Srebrenicës, Mladen Grujiçiq – Foto: Anadolu.

Kandidati Serb Afër Fitores në Srebrenicë

Mladen Grujiçiq, kandidati që u mbështet nga të gjitha partitë serbe, ka gjasa të bëhet kryetari i ri i qytetit lindor të Srebrenicës, i cili pa më shumë sesa 7,000 banorët e tij boshnjakë të masakroheshin nga forcat serbe në vitin 1995 dhe ka mbetur një pikë e nxehtë politike që atëherë.

Me 77 për qind të votave të numëruara të hënën, Grujiçiq kryesonte me 67 për qind të votave, para kryetarit aktual të Srebrenicës Qamil Durakoviq, i cili kishte marrë vetëm 31 për qind.

Mbështetësit e Grujiciçit festuan fitoren e tyre në rrugë dhe në një kafene në Srebrenicë të dielën në mbrëmje, duke brohoritur “Serbia” dhe “Fitore”, raportoi kanali televiziv rajonal N1.

Që prej masakrave të korrikut 1995, të cilat janë përcaktuar si gjenocid nga gjykata e krimeve të luftës në Hagë, Srebrenica ka pasur autoritet lokal boshnjak.

Kryetari aktual Durakoviq tha për TV N1 të hënën në mëngjes se ai po priste ende të vinin rezultatet nga anëtarët e diasporës boshnjake.

“Nuk është e qartë pse zyra elektorale e Grujiçiqit shpalli fitoren dhe lajmëroi se kjo mund të ndodhë, sepse kanë vota të sigurta. Dhe qytetarët e dinë që gjërat mund të ndryshojnë dhe ne do të presim për më shumë,” tha Durakoviqi.

Por të mbijetuarit boshnjakë të masakrave të vitit 1995 shprehën pakënaqësi për mundësinë e fitores së Grujiçiqit.

“Edhe nëse Grujçiq fiton, ai s’do të jetë kurrë kryetari im,” tha Munira Subasiq, kryetarja e shoqatës “Nënat e Srebrenicës dhe Enklavave të Zepës”, për BIRN.

“Ai s’mund të jetë kurrë kryetar, sepse ai e mohon krimin e gjenocidit. Ai mohon vrasjen e fëmijëve. E gjithë fushata e tij elektorale është bazuar te retorika nacionaliste dhe mohimi,” tha Subasiq.

Grujiçiq është kryetar i grupit të viktimave serbe të Bosnjës të quajtur Organizata e Familjeve të Kapur, Luftëtarëve të Vrarë dhe Civilëve të Zhdukur të Srebrenicës.

Por të dielën në mbrëmje ai tha se i respekton të gjitha viktimat e luftës dhe këmbënguli se serbët dhe boshnjakët mund të jetojnë në paqe në Srebrenicë.

“Serbët dhe boshnjakët e respektojnë njëri-tjetrin jashtëzakonisht shumë dhe ata shikojnë së bashku drejt të ardhmes,” tha Grujiçiq për N1.

Presidenti serb Tomislav Nikoliq ndërkohë tha se lidershipi i ri në Srebrenicë duhet të vazhdojë të përkujtojë krimet e kryera nga forcat serbe.

“Krimi ndodhi dhe fakti që një serb do të drejtojë administratën e komunës nuk do të thotë se Serbia do të harrojë atë që ndodhi në luftë,” tha Nikoliq për gazetarët.

“Ne i kemi pranuar mëkatet e kryera nga pjesëtarët e popullit tonë, e kemi pranuar dhe i kemi vajtuar ata dhe nuk duam të harrojmë, sepse njeriu s’duhet t’i harrojë kurrë gjërat e këqija që janë bërë,” shtoi ai.