Kandidatët Tregojnë Pse i Ndërruan Partitë Ndër Vite

Kandidati i pavarur, Xhavit Drenori tha që është larguar nga PDK-ja për shkak se nuk ka qenë i kënaqur me mënyrën si ka funksionuar kjo parti.

“Në 2013 jam kyçur në politikë. Unë isha i pakënaqur në PDK, andaj e nisa një iniciativë. Ne s’kemi qenë asnjëherë në Nisma, ka qenë vetëm një iniciativë”, tha kandidati i pavarur, Drenori.

Ndërsa kandidati nga Partia Fjala, Vehbi Berisha tha që dikur kishte qenë pjesë e Partisë së Drejtësisë.

“Unë kam qenë pjesë e Partisë së Drejtësisë. Ndërsa në vitin e kaluar deputeti Gëzim Kelmendi ka krijuar partinë Fjala, dhe kam kaluar atje. Qytetarët e dinë pse jemi larguar nga ajo parti”, tha kandidati i Fjalës, Berisha

Ndërsa kandidati i Nismës, Isa Xhemajlaj tha që është larguar nga PDK-ja sepse në kryesi kishte “automekanika e shofera”.

“E lëshova PDK-në sepse kryesia e PDK-së ishte e mbushur nga automekanika, shofera e banda krimi. Në Nismë ka njerëz të ngritur e që nuk i kanë ato profesione”, tha Xhemajlaj.

Ndërsa kandidati nga LDK-ja, Bedri Nika tha se prej se ka hyrë në politikë është në LDK.

“Unë jam bashkëthemelues i LDK-së. LDK-ja mbetët partia e vetme që unë besoj në të dhe që punon për interesin e qytetarit. Kam besim në qytetarët e Drenasit se do ta votojnë programin e LDK-së”, u shpreh Nika.

Këto deklarata ata i dhanë në debatin për Drenasin të moderuar nga Jeta Xharra me kandidatët për kryetar të komunës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit mbahen më 4 dhjetor.

Në këto zgjedhje kandidojnë: Ramiz Lladrovci (PDK), Bedri Nika (LDK), Isa Xhemajlaj (NISMA), Elmi Thaçi (AKR), Vehbi Berisha (Fjala) dhe Xhavit Drenori (kandidat i pavarur).

Në debat nuk janë prezentë Ramiz Lladrovci dhe Elmi Thaçi.