Mbledhja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës në 20-vjetorin e vrasjes së Agim Hajrizit dhe Latif Berishës – Foto: KALLXO.com

Kamberi: Latif Berisha e Agim Hajrizi ishin engjëjt e qytetit të Mitrovicës

Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka mbajtur sot seancë solemne në nderim të Latif Berishës dhe Agim Hajrizit, të cilët ranë 20 vjet më parë.

Në këtë seancë morën pjesë nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Safet Kamberi, kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, asamblistë, miq e familjar të shumtë.

Në një fjalë rasti kryesuesi i Kuvendit, Safet Kamberi, e ka kujtuar ditën e 24 marsit 1999 kur edhe ishin vrarë dy atdhetarët.

“Natën e 24 marsit, kur filluan bombardimet, kriminelët serbë ekzekutuan në mënyrën më mizore në shtëpitë e tyre dy nga personalitetet më emblematike të qytetit të Mitrovicës, Latif Berisha e Agim Hajrizin, që deri në ato çaste ishin shpirti i lëvizjes për liri dhe demokraci jo vetëm në Mitrovicë, por edhe më gjerë. Disa ditë më përpara forcat serbe kishin vrarë artistin Kadri Kadriu”, tha Kamberi.

Tutje Kamberi ka çmuar lartë veprimtarinë e dy atdhetarëve Berisha dhe Hajrizi, duke i quajtur edhe engjëj të Mitrovicës.

“Shpesh i kemi quajtur dhe i quajmë engjëj të Qytetit të Mitrovicës, por ç’është e vërteta nuk mjafton as fjala e fondit hyjnor engjëj për të treguar shpirtin e dëlirë të tyre. Të dy ishin njerëz të ditur, fisnikë, punëtorë të palodhur, liridashës të mëdhenj, njerëz të sakrificës. Latif Berisha profesor universitar, edukator i pashoq i shumë brezave, poet e studiues i spikatur, kryetar i Degës së LDK-së në Mitrovicë, udhëheqës i aksionit për pajtimin e gjaqeve, kurse Agim Hajrizi ekonomist i përgatitur në mënyrë të shkëlqyer, kryetar i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kryetar i Qeverisë Komunale gjatë viteve 90-ta në Mitrovicë, njeri me energji të pashtershme, shumë aktiv e trim i mençur”, u shpreh ndër të tjera Kamberi.

Ndërsa nënkryetari Faruk Mujka ka thënë se Berisha dhe Hajrizi me punën dhe idealin e tyre të lartë mbeten gjithmonë në zemrat tona.

“Puna e tij me përkushtim, ideali i lartë, patriotizmi kombëtar, mbetet gjithmonë në zemrat e popullit tonë. Në këtë fushë dhe shumë të tjera ishte fanar i ndriçimit atdhetar, në hapësirën e diturisë arsimore, kulturore, letrare, shkencore dhe kombëtare”, tha Mujka.

Kurse Ismet Beqiri, sekretar i LDK-së, tha se Berisha dhe Hajrizi ishin figura shumë të çmuara dhe kontributdhënës për lirinë e sotme.

“Puna e tyre, angazhimi i tyre, vepra e tyre ka bërë që ne të gëzojmë sot këtë që e kemi, pa dyshim që profesor Berisha ishte një intelektual i madh, njeri që fliste pak ndërsa thoshte shumë”, theksoi Beqiri.

Ndërkaq në emër të familjarëve foli vajza e Latif Berishës, Fatmirja.

“Vrasja e profesor Latifit dhe Agim Hajrizit ka qenë një vrasje e koordinuar. Këtë e them ngase prej shumë bisedimeve që kemi pasë me zonjën e Agimit, Afërdita Hajrizi, kemi konstatuar në një farë mënyre sepse kemi qenë dëshmitare okulare që kjo vrasje ka qenë e organizuar”, tha Berisha.

Ndërsa motra e Agim Hajrizit ka bërë apel tek organet e drejtësisë që të gjenden vrasësit e vëllait të saj Agim Hajrizi, nënës dhe djalit të Hajrizit.

“Edhe pse në mua sot luftojnë emocionet e dhimbjes dhe krenarisë, do të mundohem t’i mbaj sot vetëm ato të krenarisë. Veprimtari, atdhetari dhe sindikalisti Agim Hajrizi u vra me 24 mars 1999 në shtëpinë e tyre në Mitrovicë së bashku me nënën Nazmijen dhe djalin Ilirin. Ata u vranë nga dora gjakatare serbe andaj sot apeloj të organet e drejtësisë që të gjenden vrasësit dhe të marrin dënimin e merituar”, tha Hajrizi.