Projekti për termocentralin "Kosova e Re" – Foto: Ministria e Zhvillimit Ekonomik

Japonia premton përkrahje për TC 'Kosova e Re'

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se Japonia i ka dhënë përkrahje ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”.

Lluka ka deklaruar se ministri japonez për Ekonomi, Tregti dhe Industri, Yoshihiro Seki ka potencuar që Ministria që ai drejton është duke e shikuar me kujdes zhvillimin e projektit.

“Ministri Seki ka premtuar përkrahjen e plotë duke kuptuar situatën që gjendet Kosova, ku burim të vetëm energjetik ka thëngjillin”, ka shkruar Lluka në Facebook.

Ministri Lluka ka thënë në takimin që e zhvilloi me zyrtarë të lartë në Japoni është diskutuar gjithashtu për forumin biznesor që do të mbahet në Kosovë në mes të bizneseve nga Kosova dhe atyre nga Japonia, forum ky i përkrahur edhe nga qeveria japoneze.

“Me këtë rast, e informova homologun tim për përfitimet e kompanive japoneze nëse operojnë në Kosovë ku synim parësor kanë eksportin e produkteve në tregun evropian. Ndër të tjera, potencova që fuqia e lirë punëtore, tatimet e ulëta në fitim dhe në të ardhura personale, taksa prej 0% për dividentë, pozicioni gjeografik i Kosovës që jep çasje të lehtë në tregun e Bashkimit Evropian, marrëveshja për tregti me BE që jep çasje të lirë në treg prej 600 milionë banorë dhe potenciali për të shfrytëzuar tokë publike deri në 99 vite, ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për çdo investitor japonez dëshiron të targetoj tregun evropian”, ka shkruar Lluka.

Gjatë ditës së sotme, delegacioni nga Kosova u prit në takime të veçanta gjithashtu nga Tadashi Maeda, Guvernator dhe drejtor i Përgjithshëm i Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JBIC) dhe Masafumi Nakada, president i Agjencisë Shtetërore për Sigurimin e Eksporteve dhe Investimeve (NEXI) me të cilët u diskutua mbështetja financiare në projektin e Kosovës së Re.

“Qëllimi i takimit ishte për t’i informuar këto institucione të rëndësishme rreth nevojave dhe sfidave të Kosovës për sektorin energjetik si dhe për të kërkuar mbështetje për projekte tjera në fushën e infrastrukturës”, vazhdon njoftimi i ministrit Lluka.

Më tej ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se ka kërkuar mbështetjen financiare në projektet për menaxhimin e mbeturinave, kryesisht në reciklimin e mbeturinave dhe gjenerimin e energjisë elektrike dhe termike nga mbeturinat.

“Projekt ky që do të rregullonte situaten e mbeturinave, deponive të mbeturinave dhe njëkohësisht, përveç një ambienti më të pastër, qytetarët do të përfitonin edhe energji të pastër me potencial të zgjerimit të kapaciteteve të ngrohtoreve të qyteteve më të vogla. Ky projekt zgjoi interesim tek Guvernatori Maeda ku edhe u pajtuam që projekti të vazhdoj të zhvillohet tutje”, ka përfunduar Lluka.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka nisur dje një vizitë 3 ditore në Korenë Jugore dhe Japoni për të kërkuar mbështjetje e termocentralit ‘Kosova e Re’, si dhe bashkëpunimin në mes të vendeve në fushën e menaxhimit të ujërave dhe mbeturinave.

https://kallxo.com/lluka-kerkon-perkrahje-per-kosoven-e-re-nga-korea-jugore-e-japonia/?fbclid=IwAR2U7cxR4AU0NON_vKLyaWkOJbIaIcWfGDCgYjI5OSNRoSHYRfIYbcWWjis