Termeti në Japoni, Foto: NBC News

Rritet numri i viktimave nga tërmetet në Japoni

Ekipet e shpëtimit dhe banorët më 6 janar kanë përqendruar përpjekjet e tyre në gjetjen e viktimave nën rrënojat e ndërtesave më shumë sesa në gjetjen e të mbijetuarve, pesë ditë pasi tërmete të fuqishme goditën Japoninë. Numri i viktimave nga tërmetet ka arritur në të paktën 126 persona.

Përderisa numri i viktimave është rritur nga tërmeti prej 7.5 shkallësh të Rihterit – që u pasua nga qindra dridhje të tjera të tokës – në rajonin e Ishikavas, 210 persona ende konsiderohen të zhdukur, thanë autoritetet.

Përpjekjet e mijëra punëtorëve të shpëtimit janë penguar nga moti i lig – përderisa për të dielën është paralajmëruar se do të ketë reshje bore – rrugët e shkatërruara, por edhe nga 1.000 rrëshqitje të regjistruara të dheut.

Kryeministri japonez, Fumio Kishida, shprehu ngushëllime për viktimat, pasi autoritetet lokale konfirmuan se 126 kanë vdekur.

Ndërkaq, gjatë një mbledhjeje urgjente të Qeverisë, ai u kërkoi ministrave të tij që “në mënyrë urgjente” të riparojnë dëmet në rrugë, në mënyrë që të ndihmohen qindra njerëz që kanë mbetur të bllokuar në zonat e goditura nga tërmetet.

Rreth 23.200 shtëpi kanë mbetur pa rrymë në Ishikava, ndërkaq mbi 66.400 pa ujë.

Ndërprerjet e furnizimeve me energji elektrike dhe ujë kanë prekur edhe spitalet, shtëpitë e të moshuarve dhe ndërtesat ku marrin përkujdesje personat me nevoja të veçanta.

Japonia përballet me qindra tërmete çdo vit, shumica nga të cilat nuk shkaktojnë dëme për shkak të rregullave të ashpra të ndërtimit që janë në fuqi për më shumë se katër dekada. Por, shumica e ndërtesave janë të vjetra.

Arsyeja që shteti përballet me tërmete të shumta është se gjendet përgjatë asaj që njihet si “Unaza e Zjarrit”, që është një hark vullkanesh dhe pllakash tektonike në Pellgun e Paqësorit.

Një tërmet i fuqishëm, i pasuar nga një cunami në marsin e vitit 2011, shkaktoi shtrirje e tre reaktorëve dhe lirimin e një sasie të madhe të rrezatimit në një central bërthamor në verilindje të Japonisë. Si pasojë e tërmetit dhe cunamit që pasoi, rreth 18.500 persona vdiqën ose u zhdukën më 2011 në Japoni./REL