Aeroplani i kapluar nga zjarri në Japoni, pilotët nuk e kishin vërejtur derisa u njoftuan nga stafi

Pilotët e aeroplanit japonez që u përplas me një aeroplan më të vogël në aeroportin e Tokios ‘Haneda’ më 2 janar, fillimisht nuk ishin në dijeni se aeroplani kishte marrë flakë, ishte një stjuardesë që i informoi për zjarrin në kabinë, tha një zëdhënës i Japan Airlines për BBC.

Pas kësaj, evakuimi i të gjithë 379 personave në bord të Japan Airlines vazhdoi, dhe nuk pati asnjë të vdekur.

Derisa, pesë nga gjashtë personat në aeroplanin më të vogël – që po dërgonte ndihma në zonën e prekur nga tërmeti, vdiqën.

“Menjëherë pasi aeroplani u ul, piloti ndjeu tronditje dhe humbi kontrollin për qëndrim në pistë. Një zjarr nisi, por pilotët nuk e vërejtën në fillim dhe e kuptuan përmes stjuardesës së kabinës ”- tha zëdhënësi i Japan Airlines.

Në bord ndodheshin tre pilotë dhe 12 stjuardesa kur ndodhi incidenti. Sistemi i njoftimit të aeroplanit ishte dëmtuar, duke e lënë ekuipazhin të përdornin megafonë për të dhënë udhëzimet për pasagjerët.

“Gjëja e parë që bënë stjuardesat pasi kuptuan se kishte pasagjerë që e dinin se aeroplani ishte në flakë, ishte t’i qetësonin dhe të mos ngriheshin në këmbë, gjë që mund ta bënte shumë të vështirë daljen”- shtoi tutje ai.

Mediat japoneze e kanë përshkruar evakuimin si një “18-minutësh mrekullie”. Pasagjerët lanë bagazhet e dorës, shkuan në daljet e emergjencës dhe dolën nga aeroplani përpara se të përfshihej nga flakët tërësisht.

“Bashkëpunimi ishte çelësi që të gjithë pasagjerët të ishin në gjendje të dilnin shpejt dhe në mënyrë të sigurt”.

Autoritetet japoneze thanë vonë të mërkurën se aeroplani që ishte planifikuar të dërgonte ndihma në zonat e goditura nga tërmeti nuk i ishte dhënë leje për t’u ngritur në atë pistë.

Sipas zyrtarëve, fluturimi Japan Airlines u lejua të ulej në pistën 34R në Haneda, ndërsa avionit tjeter iu tha të “parkohej në pikën e mbajtjes C5” – vend në sistemin e rrugëve lidhëse të aeroportit ku aeroplani pret lejen për të hyrë në pistë.