Foto: Mevlyde Saraçi/Facebook

Ish-deputetja Mevlyde Saraçi paralajmëron padi për shpifje ndaj Flora Brovinës

Ish-deputetja e LDK-së, Mevlyde Mezini-Saraçi ka paralajmëruar se do ta padisë për shpifje deputeten e PDK-së, Flora Brovina, pasi e ka përmendur në një rast të tillë pa qenë e vërtetë.

Ajo ka deklaruar se nuk ka biseduar me deputeten dhe se edhe pas këtij rasti do të bisedoj vetëm përmes avokatit të saj.

“Zonjës Brovina përmes avokatit tim do t’ia paraqes padinë, pastaj do të takohemi përmes subjekteve juridike. Rrugës kur u nisa për ta mbajtur këtë konferencë për shtyp, rrugës pranova një ftesë nga Policia e Kosovës, nga policja hetuese e cila më kërkoi që të hënën në mëngjes të paraqitem për hetime. Unë nuk e di nëse më kanë ftuar në cilësinë e dëshmitares apo fajtores, por të hënën do ta kuptoj, pas intervistimit.”, ka deklaruar ajo.

Saraçi gjithashtu ka thënë se asnjëherë nuk ka punuar në mënyrë private me deputeten Brovina.

Sipas saj, i gjithë dokumentacioni që ajo ka dorëzuar ndonjëherë ka ndodhur përmes rrugëve zyrtare dhe të gjitha gjenden në Kuvendin e Kosovës.

“Sa për zarfa për njerëz që nuk kanë emra, që u harrohen emrat apo moskujtesën e individëve që janë sot kuvendar nuk ndjejë obligim që si person civil të marr përgjegjësin e njerëzve zyrtar që paguhen. Çdo akuzë duhet të paraqitet në gjykatë, te prokurori, në polici dhe jo në Kuvend, por çështjet e tyre sepse është deputete e një grupi parlamentar por nuk është në kompetencat e mia”, ka shtuar ish-deputetja.

Tutje Saraçi ka thënë se do të përgjigjet para organeve të drejtësisë në ftesën e tyre sepse nuk ka frikë nga e vërteta, ajo theksoi se kërkon falje nga familja e saj të cilën e ka shqetësuar rasti në fjalë.

Deputetja Flora Brovina ka folur sot pas intervistimit në Prokurorinë Speciale rreth fotografisë e cila shkaktoi një varg reagimesh në Kosovë.

Ajo e pranoi se fotografia nuk është autentike.

“Edhe një herë ju kërkoj falje të gjithë atyre dhe qëndroj edhe për fajësinë time që nuk e kam verifikuar në momentin e fundit edhe një herë”, tha Brovina.

Rreth fotografisë që e ka shfaqur dje në hollin e Kuvendit të Kosovës, Brovina ka thënë se atë e ka pranuar nga një aktivist qysh prej vitit 2003 dhe e ka mbajtur së bashku me shumë dosje të tjera.

Tutje Brovina ka thënë se nuk ka menduar se dikush do t’i jepte një fotografi të tillë të rreme për një çështje kaq të ndjeshme.

“Kurrë s’kam menduar që dikush mund të më sjell fotografi te cilat nuk janë të verifikuara dhe te sakta. Nuk kam menduar qe kjo fotografi nuk donte jete e sakte. Saktësinë e kësaj fotografie do ta zhvillojnë autoritetet e shtetit.  Këtë dokument e ruaj në mesin e shume dokumenteve të tjera që nga viti 2003. Tash pas shumë kohësh të dalë ky dokument që nuk është i vërtetë… më është thënë që kjo fotografi është bërë në zonën e Dukagjinit. Më ka dhënë një aktivist këtë fotografi emrin nuk e di e kam harruar”, ka deklaruar ajo.

https://kallxo.com/mevlude-saraqi-demanton-flora-brovinen-nuk-ia-dhash-fotografine/