Isa Mustafa, Kryeministër i Kosovës

Isa Mustafa: Opozita të Japë Dorëheqje

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ia ka kthyer opozitës të njëjtën kërkesë që opozita ka për të.

Tri partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe NISMA do të dalin më 9 janar në protestë në Prishtinë me kërkesën kryesore që qeveria të japë dorëheqje.

Por Mustafa mendon se është opozita ajo që duhet të japë dorëheqje.

“Dorëheqje duhet të japë opozita. Jo dorëheqje nga Kuvendi, por nga dhuna dhe lotsjellësi në Kuvend. Në një vend demmokratik askush nuk ka të drejtë të përdorë mjete jodemokratike”, tha Mustafa në konferencën e fundit për shtyp për këtë vit, në të cilën shpalosi punën e qeverisë për vitin 2015 dhe planet e qeverisë për vitin e ardhshëm.

Duke folur për protestën e 9 janarit, kryeministri tha se protestat e deritanishme të opozitës janë mbështetur nga një numër i vogël njerëzish.

“E kam besimin e plotë te qytetarët. Ata janë treguar të pjekur e dinjitozë në të gjitha situatat. Është parë që opozita nuk e ka përkrahjen e qytetarëvre sepse në të gjitha protestat deri më tani kanë marrë pjesë një numër i vogël i qytertarëve”, u shpreh ai.

Mustafa përjashtoi mundësinë që qeveria të largohet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Zgjedhjet do të mbahen në vitin 2018. Koalicioni është i fortë, stabil e demokratik. Pa vullnetin e qytetarëve, opozota nuk mund të imponojë as kushte, as ultimatume”, tha ai.

Por Mustafa u shpreh se tri njohjet që, sipas tij, i erdhën Kosovës në vitin 2015 nuk janë mjaft.

“Numri i njohjeve nuk është i madh, por kemi arritur nivelin e ngopjes dhe është më vështirë të krijohen njohje të reja. I kemi dhënë përparësi njohjeve nga spesë shtetet e BE-së. Kemi punuar më shumë me Greqinë, Rumaninë e Sllovakinë”, tha kryeministri Mustafa.

“Të gjithë ne jemi të pakënaqur me mosanëtarësim në UNESCO por nuk e kemi humbur shpresën dhe kurajon. Do të vazhdojmë më tej”, tha Mustafa.