Isa Mustafa Lavdëron Punën e Koalicionit PDK- LDK në Ekonomi

Gjatë prezantimit të buxhetit për vitin e ardhshëm para deputetëve, Mustafa tha se puna dyvjeçare e këtij koalicioni “ka dhënë rezultate në përmirësimin e aktiviteteve ekonomike në vend”.

“Rritja ekonomike prej 4.1 përqind është më e larta në rajon dhe në disa vende të BE-së. Indikatorët statistikorë flasin për rënie të papunësisë”, tha kryeministri.

Ai tha se buxheti për vitin e ardhshëm, i cili kalon shumën prej 2 miliardë euro është refleksion i reformave, i përmirësimit të ambientit të të bërit biznes në Kosovë.

“Prioritet i kësaj qeverie mbetet zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës. Ky buxhet arrin objektivat në shumë fusha përfshirë autostradën për Shkup, zotimet që kemi marrë me gjashtë vendet e Ballkanin Perëndimor, hap mundësi të reja për investime në shëndetësi”, tha Mustafa.

Ndërsa kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Naser Osmani, bëri thirrje deputetëve që ta miratojnë këtë buxhet.

“Buxheti i vitit 2017 tregon një parashikim real të rritjes ekonomike dhe të treguesve të investimeve të konsumit, të eksportit dhe importit, rritjen e shpenzimeve kapitale”, tha Osmani.