Infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësorë kërkojnë rritje koeficienti

Sindikata e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë i është drejtuar Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë të cilëve me kërkesë që të iniciojnë rritjen e koeficientit të tyre të pagës.

Kjo kategori është e pakënaqur me koeficientin 2.2.

Kryesuesja e Komisionit Parlamentar, Besa Baftiu, tha se kërkesat e tyre i janë dukur të arsyeshme, ndërsa Fatmire Kollqaku Mulhaxha nga Lëvizja Vetëvendosje tha se me këtë çështje duhet të merret Qeveria.

“Ka me qenë një komision në Qeveri me i kqyrë në detaje koeficientët, për këtë e pyesim ministrin sepse nuk është kry krejt kategorizimi në përgjithësi”, tha ajo.

Nga ana tjetër, Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës tha se kjo kërkesë ka defekte në aspektin procedural dhe substancial.

“Ligji duhet së paku një ditë të zbatohet e pastaj të kërkohet të ndryshohet, në aspektin përmbajtësor nuk ka infermierë të fiziatrisë as të gjinekologjisë as të stomatologjisë, ka vetëm infermierë”, tha ai.

Haxhiu tha se koeficientin 3.2 e kanë psikologët klinikë, fizioterapeutët dhe logopedët.

“Unë jam që të ju rritet paga të gjithë infermierëve e në veçanti atyre me bachelor. Kemi bisedu me Ministrin e Shëndetësisë dhe besoj që në takimin e ardhshëm Ministri do të dalë me një zgjidhje që të ju japim një rritje prej 30 përqind”, tha ai.

Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se në total shumica e mantelbardhëve janë të kënaqur me ligjin e pagave.

“Pak nivele janë të pakënaqura me poentimin dhe nivelizimin e pagave, duhet me fillu me u implementu ligji për me pas të drejtën ne me riamandamentu në pjesë të caktuara”, tha ajo.

Muaj më parë Kuvendi i Kosovës e ka votuar me shumicë votash Ligjin e ri për Paga, kategoritë që kanë përfituar rritjen më të madhe kanë qenë mjekët.