Protesojnë infermierët e punëtorët e tjerë shëndetësorë të SHSKUK-së, duan kushte më të mira

Infermierë, punonjës teknikë e të administratës të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK) protestuan më 15.02.2024 para drejtorisë së këtij institucioni.

Ata shprehën pakënaqësitë e tyre duke thënë se ndihen të diskriminuar e të anashkaluar nga institucionet.

Kërkesat e tyre përfshijnë paga më dinjitoze, pagesën e punës gjatë fundjavave, gjatë festave dhe gjatë orëve shtesë.

Sipas tyre, këto pagesa për infermierët janë shumë herë më të ulëta sesa për mjekët.

Ata po ashtu po kërkojnë pagesën e shtesës së nëpunësit shëndetësor.

Rregullorja e Ministrisë së Shëndetësisë për shtesën e nëpunësit shëndetësor, e cila është e bazuar në Ligjin për Paga parasheh që këto shtesa t’u jepen vetëm mjekëve specialistë, të cilët punojnë veç në sektorin publik.

Infermieri Enlirat Duraku përmendi nenin 30 të Ligjit për Paga. Ky nen thotë se “Shtesa për nëpunësen/in e sistemit shëndetësor përfitohet nga nëpunëset/it të cilët vendosin të kenë një karrierë profesionale shëndetësore të përqendruar vetëm në sektorin publik.”

E sipas tij, Ministria ka bërë ndarje, duke ofruar këtë shtesë vetëm për mjekët.

“Jemi mbledhë këtu sot me kërku vetëm zbatimin edhe respektimin e Ligjit për neve” – tha ai.

Kryetari i Shoqatës Sindikale të QKUK-së, Xhemajl Selmani, pati kritika për këtë Ligj.

“Kanë mbetë keq me pagat të gjithë punonjësit e tjerë shëndetësorë, të cilët janë secili në punën e vet të rëndësishëm” – u shpreh ai.

Sipas tij edhe punëtorët e sektorit privat (higjienistët) që janë të angazhuar në Qendrën Klinike e Universitare të Kosovës kanë paga të vogla.

Protestuesit presin që kjo protestë t’i sensibilizojë strukturat qeverisëse.

“Me keqardhje ju them se ata e kanë ndërpre dialogun social që me ardhjen në qeverisje” – tha Selmani, teksa përmendi edhe mundësinë e grevës. “Mund të futemi edhe në greva” – shtoi ai.

Dy infermiere në Klinikën e Pulmologjisë thanë për KALLXO.com se ndërrimi i natës u paguhet 20 euro, e sipas tyre për këtë ndërrim, mjekët marrin rreth 300 euro.

“Përgjegjësia është e madhe, e pagesa është shumë e vogël. Ndërrimi i natës 20 euro edhe nuk na dallohet, si me kanë festë, si me kanë vikend, si me kanë ditë e zakonshme, ajo u kanë pagesa” – tha infermierja Berita Sinani.

Ato u ankuan edhe për mbingarkesë në punë.

“Ne jemi shumë të mbingarkuar, sidomos po flas për klinikën tonë. Na mundohemi maksimumin me e bo, por sa mundet me kanë efikase puna” – shtoi Sinani.

Kolegia e saj, Minire Mziu, tha se mbesin me shpresën që këto protesta do të hyjnë në veshin e dikujt.

Ridvan Emini, vozitës në QKUK, po ashtu tha se janë të anashkaluar.

“Çdo minutë ne jemi të rrezikun se domethënë ti pacientin e operun ke me e vendos në kerr (automjet), pacientin me TBC (tuberkulozë) ke me shti në kerr” – tha ai për KALLXO.com.

SHSKUK-ja thotë se të gjitha pagesat bëhen sipas Ligjit të Pagave. Por, sipas tyre, dallimi i koeficientëve për pagat bazë ndikon edhe në pagesat e tjera.

“Bashkë me të gjitha institucionet relevante është ngritur dhe diskutuar që të gjenden forma ligjore që këto çështje të adresohen. Si institucion, në vazhdimësi kemi përkrahur rolin, kontributin dhe rëndësinë që kanë infermierët e punonjësit e tjerë në shëndetësi dhe në këtë drejtim do të punojmë dhe bëjmë maksimumin” – thuhet në përgjigjen me shkrim të SHSKUK-së.

Koeficienti i infermierëve me bachelor në nivelin tretësor shëndetësor është 5.6, ndërsa në nivelin dytësor është 5.5.

Ndërkaq, koeficienti i mjekëve specialistë është 12. Vlera e koeficientit për vitin 2024 është 110 euro.

Këta punëtorë shëndetësorë kishin protestuar edhe më 05.04.2023 për të kundërshtuar koeficientin e Ligjit për Paga.

Deri në publikimin e këtij artikulli, Ministria e Shëndetësisë nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KALLXO.com lidhur me këtë çështje.

Kjo ministri nuk u përgjigj as në pyetjen se a ka filluar ekzekutimi i shtesës së lartpërmendur për mjekët specialistë, për mosekzekutimin e së cilës KALLXO.com raportoi më 09.12.2023.