Gjykimi për vrasje në tentativë - Foto: KALLXO.com

I dëmtuari rrëfen si u plagos nga të shtënat prej të akuzuarve

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës sot vazhdoi gjykimi kundër të akuzuarve për vrasje në tentativë.

Dëshminë sot e kanë dhënë dëshmitarët Remzi Xhemajli, Qerime Rexhepi dhe Hidajete Rexhepi.

Në fillim të seancës, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Ismet Ujkani, të akuzuarit Sabit dhe Abdyl Dibrani u deklaruan të pafajshëm lidhur me aktakuzën duke thënë se nuk e ndiejnë veten fajtorë.

Kurse prokurori në fjalën hyrëse deklaroi se nga provat që do të nxirren gjatë shqyrtimit gjyqësor, nga deklaratat e të dëmtuarve të dëgjuara si dëshmitarë, pastaj edhe të dëshmitareve Qerime dhe Hidajete Rexhepi, si dhe provave materiale që janë propozuar edhe në aktakuzë, raportet hetimore të Policisë, procesverbalet mbi kontrollimet e shtëpisë së të pandehurve e vërtetimin mbi sekuestrimin e sendeve, do të vërtetohet se të pandehurit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen.

Fjala hyrëse e prokurorit u mbështet edhe nga mbrojtësi i të dëmtuarit Remzi Xhemajli, avokati Gani Rexha si dhe nga dy të dëmtuarit e tjerë në ketë rast, Adem dhe Fabion Xhemajli.

Ndërsa avokati Sabit Pllana, i cili në këtë rast është mbrojtës i të akuzuarit Sabit Dibrani, në fjalën e tij hyrëse tha se e kundërshton në tërësi akuzën kur fajësohet i mbrojturi i tij duke shtuar se ai po ashtu padrejtësisht mbahet në burg qe 6 muaj.

Ndërsa mbrojtësi i të pandehurit Abdyl Dibrani, avokati Miftar Tahiri i propozoi Gjykatës që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohej eksperti i balistikës, pasi që sipas tij i njëjti do të jepte njohuri përmes të cilave do të vërtetohej se veprimet e të mbrojturit të tij janë në kundërshtim me gjendjen faktike që ishte përshkruar në dispozitiv të aktakuzës.

Pas pyetjes së prokurorit dëshmitari Remzi Xhemajli që në këtë rast është edhe palë e dëmtuar tregoi se si kishte ndodhur ngjarja.

“Në mëngjes rreth orës 9:00 jemi nisë bashkë me axheën Ademin dhe djalin e axhës Fabionin për me shku në mal. Kemi pre dru. Rreth orës 3:00 jemi nisë prej malit. Kur jemi afru afër dyerve të Miftar Brahimit në fshatin Vërrinë, Sabiti na ka gjuajtur mbi kokë së bashku me Abdylin prej kallkanit të shtëpisë së Sabitit. Ne kemi vazhdu nëpër plumba. Unë kam qenë ulur mbi ram, i cili ka qenë i mbushur me dru, Fabiani ka qene afër meje, Ademi ka qenë duke vozitë. Kemi vazhdu rrugën e të shtënat nuk janë ndalur derisa jena barazu me shtëpinë e vjetër të këtij Sabitit“, tha dëshmitari.

Dëshmitari Xhemajli po ashtu shtoi se nga këto të shtëna ishte plagosur.

“Sabiti dhe Abdyli kanë ndërru pozicionin, kanë dalë me armë në kallamboq dhe na kanë gjuajt prapë për një moment. Unë dhe Fabiani kemi dalë në anën e djathtë prej ramit – poshtë kemi kërcyer. Unë kam hip në bigë të traktorit, pas meje ka ardhë edhe Fabiani. Pasi që kam hypë aty, këta e kanë ndërru prapë pozicionin. Sabiti ka qenë i pari, ka dalë në detelinë, Abdyli ka qenë pas Sabitit dhe personi i tretë ka qene afër 3 ose 4 metra ne kallamboq. Kanë gjuajtë të tretë. Në momentin që e kemi kthyer kokën me pa, vinin plumbat dhe nuk kemi mujtë me mbajtë kokën kthyer në drejtim të tyre. Në atë moment ka thënë Fabiani neve po na gjuajnë dhe ka vazhdu qashtu, e ka rrok gomën e parë të traktorit, e ka godit krahun e majtë të traktorit. Në atë moment jam plagosur. E kam prekur me dorë kofshën e majtë dhe e kam parë që më ka mbuluar gjaku dhe ia kam treguar axhës Ademit. Kemi vazhduar dhe kemi shku në shtëpi, ora ka qenë rreth 15:35“, tha dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, i akuzuari Sabit Dibrani kishte gjuajtur me Kallash, ndërsa Avdyl Dibrani kishte gjuajtur me revole.

Tutje dëshmitari në seancë shtoi se edhe më herët kishin pasur probleme me familjen e të akuzuarve.

Në seancë dëshminë e kanë dhënë edhe Qerime dhe Hidajete Rexhepi.

Dëshmitarja Qerime Rexhepi tregoi se si kishte dëgjuar të shtënat ditën e ngjarjes.

“Atë ditë kam qenë në oborr me kunatën. Ka qenë te unë dhe ka dalë me shku në shtëpi, e cila gjendet afër shtëpisë sime. Në atë moment i kemi ndi krismat. Kemi mendu mos është ndonjë fejesë apo martesë dhe kur kanë kërsit herën e dytë e pamë që nuk është diçka në rregull dhe ajo shkoi në shtëpi të vet – unë në timen“, tha dëshmitarja.

Ndërsa dëshmitarja Hidajete Rexhepi tregoi në Gjykatë se kishte dëgjuar të shtënat e një arme ditën kur kishte ndodhur ngjarja, derisa ajo kishte qenë në oborr me kunatën e saj Qerime Rexhepin.

Ndryshe, Prokuroria akuzon Sabit Dibranin dhe Avdyl Dibranin se më 24 shtator të vitit të kaluar rreth orës 15:30 minuta në fshatin Vernicë të komunës së Mitrovicës së bashku me dashje kanë tentuar që të privojnë nga jeta të dëmtuarit Adem Xhemajli, Remzi Xhemajli dhe Fabion Xhemajli.

Sipas aktakuzës, shkak i vrasjes në tentativë ishin çështjet pronësore.

Në aktakuzë thuhet se derisa të dëmtuarit ishin duke u kthyer në shtëpi nga mali me traktor të ngarkuar me dru, të pandehurit kishin shtënë në drejtim të tyre.

Traktorin kishte qenë duke e drejtuar Adem Xhemajli, kurse Remzi Xhemajli dhe Fabion Xhemajli ishin të ulur mbi drunjtë në rimorkio të traktorit.

Më tutje në aktakuzë shpjegohet si kishte ndodhur ngjarja.

“Derisa rimorkio ishte në lëvizje, i pandehuri Sabit Dibrani me armë automatike me karikator në të cilin ka pasur 33 fishekë, kurse i pandehuri tjetër Avdyl Dibrani me pistoletë nga dritarja në katin nën kulm të shtëpisë dhe te muri i oborrit kanë shtënë nga armët në drejtim të të dëmtuarve”, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza sqaron se nga predhat e plumbave është goditur Remzi Xhemajli, ndërsa është rrezikuar edhe jeta e Qerime dhe Hidajete Rexhepit që ishin në oborrin e shtëpisë së tyre.

Predhat e plumbave, sipas aktakuzës, kishin qëlluar edhe traktorin në lëvizje.

Përveç për vrasje në tentativë, Sabit e Abdyl Dibrani akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

KALLXO ka përcjelle edhe me herët këtë rast.