I akuzuari për falsifikim deklarohet i pafajshëm para gjykatës

 

Në seancën e shqyrtimit fillestar e mbajtur në Gjykatën e Mitrovicës ish zyrtari i gjendjes civile në fshatin Bistricë të Komunës së Leposaviqit, Nezir Aliu u deklarua se nuk ndihet fajtor.

Këtë deklarim ai e ka bërë në seancën e filluar një orë me vonesë, para gjykatësit të rastit Avni Mehmeti.

“Nuk ndihem fajtor për shkak së librat amzë nuk i kam pasur deri në muajin 12 të vitit 2015,me sa e di unë policia i ka marr vetëm kopjet e dokumenteve por jo edhe origjinalin“, ka thënë Aliu.

Ndërsa pas deklarimit lidhur me fajësinë gjykatësi Mehmeti e ka njoftuar të pandehurin se në afat prej 10 ditëve mund të paraqes kundërshtimet lidhur me aktakuzën.

Prokuroria e Mitrovicës akuzon Nezir Aliu se më 13 maj 2015, në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në Bistricë të Shalës, ka tejkaluar kompetencat e tij duke i sjell dobi pasurore personit tjetër.

Sipas akuzes Aliu duke mos bërë verifikime paraprake e në kundërshtim me udhëzimin administrativ nr25/2013 ka regjistruar personin N.N., kinse Ali Sallkoviq, me shënime kinse ai është banor i fshatit Rvatska.

Kurse nga zyrtarët e qendrës së regjistrimit në Leposaviq ishte konstatuar se nuk ekziston një banor i këtij fshati me këtë emër, e që sipas akuzës i pandehuri Nezir Aliu, nuk i ka kontrolluar librat e vjetër amëz për të vërtetuar se a janë të sakta dhe origjinale fletëkërkesat e dorëzuara nga N.N. personi kinse Ali Sallkoviq, me ç’rast të njëjtin e regjistron në regjistrin e lindjeve dhe njëherësh i lëshon dhe ekstraktin e lindjes.

Në pikën e dytë të dispozitivit të aktakuzës, Nezir Aliu akuzohet se në datën, kohën dhe vendin e njëjtë si në pikën e parë të aktakuzës, në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile, ka falsifikuar dokumentin zyrtar ashtu që ka nënshkruar dhe vulosur ekstraktin e lindjes të lëshuar në emër të Ali Sallkoviq.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar”.