Gjykimi për mashtrim - Foto: KALLXO.com

I akuzuari ka ‘mbetur’ në Serbi, shtyhet gjykimi për keqpërdorim me ngastrat kadastrale

Gjykimi i Fatmir Muriqit, i cili po akuzohet për veprën penale të mashtrimit, ka dështuar të mbahet për shkak se mungoi i akuzuari por edhe prokurori i rastit, Agim Kurmehaj.

Fatmir Muriqi po akuzohet se në dhjetor të vitit 2011 ka kryer veprën penale të mashtrimit dhe me qëllim të përfitimit pasuror ka dëmtuar Shefqet dhe Shpend Krasniqin.

“Pas kontaktimit me Fatmirin më ka njoftuar se gjendet në shtetin e Serbisë dhe se arsyeja pse ai ka munguar sot është se i ka skaduar dokumenti i tij identifikues dhe nuk është lejuar që të hyjë në Republikën e Kosovës”, tha mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Prek Kola.

Gjykata kishte lëshuar urdhër-arrest, pasi që i njëjti nuk ishte paraqitur disa herë në Gjykatën e Gjakovës.

https://kallxo.com/deshton-seanca-akuzuari-ne-pune-jashte-kosoves/

Ndërsa i dëmtuari Shpend Krasniqi nuk ishte prezent sot në gjykim sepse ishte paralizuar dhe i palëvizshëm. Këtë e konfirmoi sot vëllai i tij, Shefqeti.

Kështu që, seancën e sotme gjyqtari Shaqir Zika e shtyu për një datë të pacaktuar, gjersa i akuzuari të pajiset me dokumentin e ri identifikues.

Sipas aktakuzës, Fatmir Muriqi i kishte vënë në lajthim të dëmtuarit me anë të paraqitjes së fakteve të rrejshme, duke i shtyrë të dëmtuarit Shefqet dhe Shpend që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre dhe pasurisë së të dëmtuarit  Millorad Krasiq.

Prokuroria e Pejës pretendon se i pandehuri ua kishte prezantuar të dëmtuarve autorizimin e falsifikuar, kinse i noterizuar në Slloveni.

Në aktakuzë thuhet se pas kësaj të dëmtuarit duke u dakorduar mes vete lidhin dy kontrata për shitblerjen e patundshmërisë me sipërfaqe prej 435 m2 në vlerë prej 28.000 euro, edhe pse i pandehuri nuk kishte autorizim për shitjen e tokës nga pronari-këtu i dëmtuari Millorad Krasiq.

Lidhur me këtë rast, Muriqi ishte bashkakuzuar me ish-zyrtarin e Gjykatës së Qarkut në Pejë,  Jahja Imami, i cili ishte akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe i njëjti kishte kërkuar marrëveshje me Prokurorinë dhe ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Gjakovës, duke i shqiptuar dënimin me kusht.

Jahja Imami duke keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, edhe pse i pandehuri Fatmir nuk posedonte autorizim për shitblerje, i kishte mundësuar të fitojë dobi pasurore në shumë prej 28.000 euro, duke ia vërtetuar kontratat mbi shitblerjen me vulën katrore.

https://kallxo.com/prokurori-mungon-ne-gjykimin-e-ish-zyrtarit-te-gjykates/

Kallxo.com