Foto-ilustrim

Prishtinë, paraburgim për biznesmenin që dyshohet se mashtroi KEK-un për cilësinë e dezinfektuesit

Gjykata e Prishtinës njofton se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Sh.D.,  për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale të mashtrimit, mashtrimit të blerësve dhe mashtrimit të konsumatorëve.

Sipas njoftimit, i pandehuri Sh.D., në emër të kompanisë së tij, më 27.3.2020 kishte nënshkruar kontratë me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), për furnizim me maska higjienike dhe dezinfektues, të cilit produkt pas analizave që i ishin bërë nga Laboratori i Doganës së Kosovës ka rezultuar se i njëjti kishte mashtruar për cilësinë e dezinfektuesit.

Gjykata ndaj Sh.D. caktoi  masën e paraburgimit në kohëzgjatje pre 1 muaji.

Gjykata ka konstatuar se masa e paraburgimit është mase adekuate për zhvillimin e papenguar të kësaj çështjeje penale.

Po ashtu, Gjykata ka gjetur se ekziston rreziku i ikjes ngase i pandehuri Sh.D., kishte ardhur nga Norvegjia dhe i njëjti me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale mund të kthehet përsëri në Norvegji dhe të pengojë rrjedhën normale të procedurës penale.

Gjykata gjithashtu ka gjetur se kjo vepër penale ka të bëjë me përfitimin e kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe dëmit të madh pasuror.

Gjykata ka marrë parasysh  se vepra penale ka ndodhur në kohën e pandemisë, me ç ‘rast  KEK-u, duke u munduar të mbrohet nga pandemia , është mashtruar nga ana e të pandehurit, ku kanë mundur të rrezikohen punëtorët e KEK-ut dhe të infektohen me virusin COVID 19 për shkak të cilësisë së produktit.

Sipas njoftimit i pandehuri është udhëzuar në të drejtën e tij për të paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.