Konferenca për shtyp në Qendrën e Paraburgimit në Prizren - Foto: Ministria e Drejtësisë

Hoxha: Kam Urdhëruar Hetime për Vdekjen e Deharit

Ministrja Hoxha, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha dhe komandanti i Policisë Rajonale të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, kanë mbajtur një konferencë për media në Qendrën e Paraburgimit në Prizren lidhur me rastin e vdekjes së të paraburgosurit Astrit Dehari.

Ministrja e Drejtësisë në këtë konferencë ka thënë se ka urdhëruar hetim të brendshëm lidhur me vdekjen e Deharit.

“Menjëherë kam urdhëruar hetim të brendshëm të Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me rrethanat e vdekjes së të paraburgosurit A. D. dhe në pajtim me të gjeturat e raportit dhe kompetencat do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore”, tha ajo.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Drejtësisë, ministrja tha se që nga dita e djeshme Ministria që ajo e drejton dhe organet tjera relevante janë duke u marrë me rastin në fjalë.

“Që nga dita e djeshme Ministria e Drejtësisë dhe organet tjera relevante, janë duke u marrë me rastin, ndërsa aktualisht jemi duke pritur vendimin e familjes për anëtarin i cili do t’i bashkëngjitet ekipit i cili do ta kryej autopsinë”, citohet të ketë thënë Dhurata Hoxha.

Sipas ministres, raporti i autopsisë do të jetë transparent dhe publik.

Gjatë kësaj konference, ministrja Hoxha ngushëlloi familjen dhe te afërmit për vdekjen e Astrit Deharit dhe ftoi mediat, qytetarët dhe opinionin që të respektojnë punën e institucioneve të cilat po merren me rastin e ndriçimit të rrethanave të vdekjes duke çmuar pavarësinë e secilit institucion si dhe kompetencat e tyre.

Në këtë rast, Prokuroria e Prizrenit ka pranuar kërkesën e familjes Dehari që gjatë procesit të autopsisë së trupit të Astrit Deharit të jenë prezentë edhe mjekë të caktuar nga familja.

http://kallxo.com/gjate-autopsise-edhe-mjeke-te-caktuar-nga-familja-dehari/

Astrit Dehari vdiq dje teksa po mbahej në paraburgim në Prizren si i dyshuar për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës më 4 gusht 2016.

http://kallxo.com/ymeri-vdekja-e-astritit-eshte-pergjegjesi-institucionale/

http://kallxo.com/vdes-ne-qender-te-paraburgimit-nje-aktivist-i-vv-se/

http://kallxo.com/syle-hoxha-e-dyshimte-vdekja-e-deharit/