Hoti: Pa u përballur me të kaluarën e vet, populli serb do ta ketë të vështirë të ndërtojë paqe me fqinjët

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq i cili në Kuvendin e Serbisë ka thënë që marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të arrihet për të mos lejuar shtimin demografik të shqiptarëve.

“Dje, në Kuvendin e Serbisë, Presidenti serb e argumentonte nevojën për marrëveshje me shqiptarët bazuar në rrezikun që i vjen popullit serb nga shtimi natyror i shqiptarëve, e jo si nevojë e Serbisë për tu përballur me të kaluarën e saj kriminale nga Sllovenia deri në Kosovë, dhe si parakusht për paqe, stabilitet dhe integrim evropian të rajonit”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Sipas tij argumentet e përdorura nga presidenti Vuçiq janë vetëm spekulime dhe nuk janë të vërteta.

“Projeksionet demografike të shqiptarëve dhe serbëve deri në vitin 2100, që ai i prezantonte, janë eksplorime të studiuesve bazuar në supozime të thjeshtëzuara që nuk janë valide në periudha afatgjata”, ka shkruar tutje ai.

Sipas Hotit ka shumë faktorë nga të cilët varen ndryshimet demografike të një populli, e ato janë zhvillimi ekonomik, arsimor, shëndetësorë.

“Historia ka provuar se ndryshimet demografike të një populli varen nga zhvillimi ekonomik, arsimor, shëndetësor dhe shoqëror në përgjithësi i atij populli. Shqiptarët, sikurse edhe serbët më herët, kanë filluar të përballen me të njëjtat ndryshime demografike, siç janë emigracioni, rënja e natalitetit, rritja e moshës mesatare etj”, ka shkruar Hoti.

Sipas Hotit, Serbia duhet ta pranoj të kaluarën, mirëpo sipas tij kjo nuk mund të bëhet nga politikan të kohës së Millosheviçit.

“Qasja e Presidentit serb se “marrëveshja me shqiptarët duhet të arrihet ngase Serbia rrezikohet nga shtimi demografik i shqiptarëve” tregon për mentalitetin maltusian në Serbi në adresimin e sfidave. Pa u përballur me të kaluarën e vet, populli serb do ta ketë të vështirë të ndërtojë paqe me fqinjët. Këtë sigurisht se nuk mund ta bëjnë udhëheqës politik serb të kohës së Millosheviqit, sepse kjo do të nënkuptonte ta dënojnë veten”, ka theksuar Hoti.