Haradinaj u bën thirrje mërgimtarëve që të kenë kujdes në trafik

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që të kenë kujdes gjatë vozitjes së makinave.

“Thirrja ime për bashkatdhetarët është të kenë kujdes në drejtim të makinave dje të gjithë shoferëve, në shpejtësi, në çdo aspekt, që mos ta kthejmë në dhimbje si rasti në Rahovec”, ka thënë Haradinaj.

Këtë ai e tha në një konferencë për shtyp pas pritjes së organizuar për diasporën.

Haradinaj para të pranishmëve ka shpjeguar përvojën e tij si 10 vjeçare në diasporë.

“Kam qenë në moshën 16 vjeçare kur kam dal prej Kosovës dhe në atë kohë si i ri kam shku me i pa mundesitë jashtë vendit dhe kam qenë i zhvendosur në diasporë për 10 vjet”, ka treguar Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se është sfiduese jeta në diasporë sepse atje punohet shumë por standardi i jetës është i lartë.

“Jo çdo herë ju kuptojmë ne drejtë prej këtu. Kur vini këtu ju presim në kufi me dënimin, kartonin që nuk u heq. Por një gjë nuk ndryshon, dashuria për vendin”, ka potencuar Haradinaj.

Komuna e Rahovecit sot është në ditë zie pas humbjes së jetës së tre personave në një aksident të rëndë trafiku të premten e kaluar në Bërnjak.

Shpallja ditë zie në Rahovec u bë në shenjë ngushëllimi për familjarët e viktimave.

Para disa ditëve, Policia e Kosovës brenda pak minutash i ka shqiptuar dy gjoba te trafikut një mërgimtari nga Zvicra.

Makina e tij është ndaluar pasi radarët e Policisë e kane kapur në shpejtësi prej 117 km/h ne zonën ku lëvizja është 50 km/h.

KALLXO.com ka siguruar një raport ku thuhet se mërgimtari pas gjobës së parë ishte sjellë keq me policët, duke e nisur veturën me start të vrullshëm (shllajf).

Policët kishin matur shpejtësinë e tij në largim dhe raporti sqaron se ne 238 metra vetura e mërgimtarit kishte arritur shpejtësinë e 140 km/h.

Për këtë sjellje sërish mërgimtari është ndaluar nga makina e Policisë dhe është gjobitur me 300 euro të tjera.

Përveç që është dënuar brenda pesë minutave dy herë me nga 300 euro për tejkalim të shpejtësisë, mërgimtari nga Zvicra është përballur edhe me një masë tjetër ndëshkimore.

Siç merr vesh KALLXO.com, mërgimtarit i është ndaluar vozitja e automjeteve në Kosovë për 6 muaj.

Kallxo.com ka transmetuar live konferencën e Haradinajt.

Ramush Haradinaj në konferencë për media nga ndërtesa e Qeverisë

Publiée par Kallxo.com sur Lundi 29 juillet 2019

.