Haradinaj takohet me përfaqësues të FMN-së

Kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme është takuar me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) , të kryesuar nga Shefja e Misionit për Kosovë, Stephanie Eble.

Sipas postimit të Haradinajt në Facebook, në këtë takim është diskutuar për objektivat e Kosovës, në funksion të ruajtjes dhe zhvillimit të stabilitetit financiar në vend.

“Falënderova këtë institucion për një partneritet konstruktiv me Qeverinë e vendit dhe theksova se kjo marrëdhënie i duhet në vazhdimësi Kosovës, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë që të rrisim bashkëpunimin, në favor të rritjes së përkrahjes financiare dhe investimeve të huaja”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, FMN-ja është një partner i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe Qeveria është e përkushtuar ta avancojë këtë partneritet.