Kryeministri Haradinaj në seancën e Kuvendit.

Haradinaj: Serbia fiton 30 milionë euro në vit prej Kosovës në energji

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kritikoi faktorin ndërkombëtar për gjendjen e krijuar në veri të Kosovës sa i përket çështjes së energjisë.

Ai tha se e gjithë kjo situatë i konvenon Serbisë, për shkak se siç thotë ky shtet fiton 30 milion euro brenda vitit nga Kosova.

Këto deklarata Haradinaj i dha të enjten në interpelancën për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej një milion euro për KOSTT-in, për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës, e kërkuar nga Grupi Parlamentar i LDK-së.

“Të gjitha konstatimet për gjendjen në energji dhe për rrjedhën e të drejtës sonë në veri janë reale. Nuk janë të 8 muajve të fundit, janë të 18 viteve të fundit. Për fat kjo temë që në shumë etapa ka mbetur e anashkaluar ka ardhur tash në tavolinë”, tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se Serbia fiton miliona euro nga çështja e energjisë në veri të Kosovës.

“Marrëveshja për energji nuk është  inplemetuar nga pala serbe, përkundrazi është bojkotuar. Motivi është shumë i thjeshtë,  ata fitojnë 30 milion të pastra prej nesh brenda vitit. Kosova tash nuk ka kthim mbrapa përveç me dal prej kësaj gjendje. Por, dalja mund të merr një muaj, dy muaj apo tre muaj, por nuk mundemi me u kthy në gjendjen e mëhershme që furnizohet rryma dhe nuk e paguan askush”, tha Haradinaj.

Sipas Haradinajt, ndarja e 1 milion eurove nga Qeveria e Kosovës për KOSTT-in për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës , është bërë për të dal nga një krizë.

“ Vendimi për ndarjen e 1 milion eurove nuk është me i përkrah as sekserët, e as profiterëve, është një vendim për dalje nga një krize.  Ju siguroj që ne të gjithë kemi një interes me e shtri sovranitetin tonë në veri në tregun energjetik”, deklaroi Haradinaj.