Foto: Kallxo.com

Haradinaj: Policia besonte se bëri akt patriotik me deportimin e 6 shtetasve turq (VIDEO)

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për hetimin e deportimit të 6 shtetasve turq në mars të këtij viti, se Policia vetëm i ka zbatuar urdhrat që ka marrë për këtë rast.

Haradinaj ka shfajësuar ish-drejtorin e Policisë, Shpend Maxhuni për këtë rast.

Muaj më vonë, Maxhuni u emërua shef i Agjencionit Kosovar për Inteligjencë (AKI), pas shkarkimit të ish-shefit Driton Gashi për shkak të këtij deportimi.

“Ai është zbatuesi në këtë rast. Policia e ka zbatu, policia ka besu qe e ka bërë një akt heroik patriotik e në të mirë të vendit. Nuk mundemi me shku me ju thanë policisë që ata e kanë fajin”, tha Haradinaj.

Më herët Haradinaj tha se për deportimin e 6 shtetasve turq nga Kosova në mars të këtij viti ishte njoftuar nga një diplomat i huaj.

Gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për hetimin e këtij deportimi, Haradinaj tha se ka qenë në një takim kur një diplomat i huaj, të cilit ai nuk ia përmendi emrin, e kishte njoftuar për këtë deportim.

Ai tha se informatën e ka marrë “diku mes orës 11 dhe 12” në ditën e deportimit, ndërsa aeroplani me shtetasit turq ishte larguar nga Aeroporti i Prishtinës para orës 11:00.