Foto: ZKM

Haradinaj: Memoriali garancë që historia të mos përsëritet

Gjatë përurimit të Kompeksit Memorial të Zonës Operative të Llapit, Kryeministri Ramush Haradinaj tha se memoriali është garancë që historia të mos përsëritet,

“Ky memorial është si garancë që asnjëherë historia të mos përsëritet”, tha Haradinaj, sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Në këtë ditë në këtë kompleks u rivarros Heroi i Kombit Hakif Zejnullahu.

“Sot, është nder për ne të gjithë, për secilin prej nesh këtu e kudo që jemi si shqiptarë, që Hakif Zejnullahu, sot e merr nderimin e merituar nga djemtë e Kosovës, nga ushtarët e Kosovës, nga populli i Kosovës, dhe pushon me bashkëluftëtarët e vet, në tokën e vet të lirë”, tha Haradinaj.

Ai deklaroi se varret e dëshmorëve i çmojnë të gjithë popujt.

“Varri i dëshmorit është nder për secilin komb, çdo komb që e çmon lirinë, çdo komb që ende e ka të freskët rrugën për liri, edhe brezat që jetojnë, ata breza që kanë rrugëtuar me heronjtë, me dëshmorët, e dinë rëndësinë e varrit, e dinë rëndësinë e memorialit, e dinë rëndësinë e adresës ku pushojnë të rënët për liri”, tha Haradinaj.