Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës. Foto: Kallxo.com

Haradinaj mbledh Këshillin e Sigurisë për kërcënimet ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot se Beogradi është duke ushtruar presion ndaj pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, shumë nga të cilët kanë deponuar kërkesat për lirim nga detyra.

Për këtë çështje, Haradinaj ka mbledhur sot Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

Pas këtij takimi, Haradinaj tha se ka presione të ndryshme ndaj këtyre pjesëtarëve.

“Shumica e tyre në deklarimet e tyre për lirim paraqesin presionin e ushtruar direkt nga Beogradi qoftë me ndalimin e tyre në Serbi e më pas kërcënimi me familje edhe presione të tjera”, tha Haradinaj.

Ai tha se institucionet e vendit janë duke shqyrtuar masat për t’u përballur me këtë situatë.

“Kosova me këtë rast duke e shqyrtu këtë. Kjo nuk e prish rendin në vend por ajo që del nga ky takim janë veprimet që mund të bëjë Kosova në këtë situatë”, tha ai.

“Dikur ka pasur një qasje kur është thënë që serbet nuk duhet të marrin pjesë në asnjë institucion të Kosovës. Ky presion i tillë është i pakuptimtë edhe jemi të habitur nga kjo qasje. Dikush po ushtron krim ndaj këtyre të rinjve, kjo është kundër te drejtave të njeriut”, tha kryeministri Haradinaj.