Aplikimi i Kosovës në Këshill të Evropës, Vuçiq mbledh nesër Këshillin e Sigurisë

Pas lajmit se Kosova do të aplikojë sot për antarësim në Këshillin e Evropës, mediat serbet raportojnë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të mbledhë nesër Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Sipas B92, seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare do të mbahet nesër në ora 11:00.

Sot, Qeveria e Kosovës përmes një mbledhje elektronike ka miratuar në parim nismën për anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare Këshilli i Evropës.

Vendimi i miratuar sot nga qeveria e Kosovës, obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëminë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Dyditë pas takimit në Berlin, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte kërcënuar Kosovën në rast se do të bënte aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ai kishte thënë se përgjigja e Serbisë në ditën kur Kosova do të bëjë kërkesë zyrtare për pranim në KE dhe do të shkelë Marrëveshjen e Uashingtonit, “do të jetë e fortë dhe serioze”.

“Është detyra jonë të mbrojmë dhe mbrojmë vendin dhe Kushtetutën. Atë ditë që marrim vesh që kanë aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në ndonjë organizatë, përgjigjja jonë do të jetë shumë më e fortë sesa që mendojnë ata e nuk do të jetë vetëm deklaratë për media. Më besoni se do t’ua tregojmë dhëmbët goxha shumë”, kishte deklaruar Vuçiq.