Kurti i quan të rreme akuzat e Vuçiqit për shkeljen e të drejtave të serbëve në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u është përgjigjur akuzave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili pretendoi për shkelje të të drejtave të serbëve që jetojnë në Kosovë.

Kurti në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të OKB-së tha se ekziston një ironi e thellë në përgjigjen ndaj akuzave të rreme për abuzime të të drejtave të njeriut të bëra nga, siç tha ai, “një qark i njohur se ka kryer gjenocidin e fundit të shekullit të 20-të dhe një vend që aktualisht është kërcënimi më i madh autoritar për paqen dhe sigurinë rajonale”.

“Ekziston një ironi e thellë e pakëndshme në përgjigjen ndaj akuzave të rreme për abuzime të të drejtave të njeriut të bëra nga një qark i njohur se ka kryer gjenocidin e fundit të shekullit të 20-të dhe një vend që aktualisht është kërcënimi më i madh autoritar për paqen dhe sigurinë rajonale”- deklaroi ai.

“Qeveria serbe gjatë viteve të 90-ta, urdhëroi, planifikoi kreu vrasje, torturë, gjymtim dhe përdhunim, e po ashtu kreu edhe gjenocid në Srebrenicë dhe në Kosovë. Studimet juridike feministe tregojnë gjerësisht se si përdhumi ishte përdorur si mjet lufte. Brutaliteti që ishte bërë, ndërroi përgjithmonë Ligjin për të Drejtat e Njeriut. Nga kjo mizori, Kosova doli nga lufta si simbol për luftën për dinjitet dhe triumf për të drejtat e njeriut”- tha Kurti.

Kryeministri tha se Kosova është një histori suksesi i ndërhyrjes së NATO-s në pranverën e vitit 1999 dhe një mësim frymëzues se si zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik mund të shkojnë dorë për dore.

“16 vite pas pavarësisë dhe një gjysmë shekulli pas lufte dhe shkatërrim, sot qëndrojmë kryelartë dhe krenarë. Një Republikë për të gjithë dhe për një shoqëri multietnike për të gjithë. Kosova është storje suksesi i ndërhyrjes së NATO-s në pranverën e 99-tës dhe një mësim frymëzues se si zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik mund të shkojnë dorë për dore. Ky përparim është theksuar nga një numër i organizatave ndërkombëtare. Në vitin 2023 Freedom House ka raportuar që Kosova renditet e para në Ballkanin Perëndimor, e dyta në Europë dhe e treta në botë për avancimet e të drejtave civile”- u shpreh Kurti.

Ai përmendi se serbët në Kosovë kanë 10 nga 38 komuna dhe se si Qeveri janë siguruar të ndajnë një pjesë të buxhetit që t’i mbështesin ata.

“Të themi se popullsia e Kosovës është afro 1.8 milion banorë dhe komuniteti serb përbën 4% të saj. Serbët në Kosovë po ashtu kanë 10 nga 38 komuna, jemi siguruar që të ndajmë një pjesë substanciale të buxhetit për ta dhe mbesim të sigurt që gjuha serbe është gjuhë zyrtare çdokund. Jemi duke punuar aktivisht me ndihmën e qeverive ndërkombëtare dhe organizatave ndërkombëtare të përforcojmë këto të drejta. Vetëm vitin e kaluar ministri për Kthim dhe Komunitete, i drejtuar nga një ministër serb, ndau 265 milionë euro grante për komunitetet pakicë”- ka deklaruar Kurti.

Në Këshillin e Sigurimit të Kombëve të Bashkuara ka nisur seanca e jashtëzakonshme ku po diskutohet për situatën në Kosovë.

Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është thirrur me kërkesë të Serbisë, pas vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb dhe për shkak të mbylljes së disa komunave paralele serbe.

Në këtë seancë, Kosova përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa Serbia përfaqësohet nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Nga 1 shkurti në Kosovë ka hyrë në fuqi Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme.
Rregullorja parasheh që valuta e vetme për pagesa të jetë euroja, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Të gjitha institucionet financiare që do të importojnë para në Kosovë nga 1 shkurti do të duhet të kenë një leje speciale dhe autorizim nga BQK.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se shteti i tij i ka 31.831 të punësuar në Kosovë, 29.115 pensionistë – prej të cilëve 4.700 i marrin pensionet me para në dorë – si dhe 31.586 shfrytëzues të ndihmës sociale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zbatimi i Rregullores po bëhet përmes një periudhe tranzicioni, duke insistuar se vendimi i BQK-së nuk nënkupton ndalimin e dinarit serb.

Vendimi për Rregulloren e BQK-së u kritikua nga diplomatë e organizata ndërkombëtare.

Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Komisioni Europian kanë kritikuar Kosovën për veprim të njëanshëm dhe të pakonsultuar, duke kërkuar shtyrjen e zbatimit të Rregullores.