Konferenca për media e kryeminsitrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla për situatën në veri, 7 nëntor 2022, Foto: KALLXO.com

Mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës

Këshilli i Sigurisë së Kosovës është mbledhur sot. Kështu thuhet në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit të vendit.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës nuk ka dhënë detaje, por njoftoi se pas mbledhjes në një konferencë për media do të dalin kryeministri, Albin Kurti dhe ministri, Xhelal Sveçla.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla mbajnë konferencë për media, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë” – thuhet në njoftim.

Konferenca është thënë se do të fillojë në 12:30.

Prej ditësh, në veri të vendit situata është tensionuar. Më 10 dhjetor pasdite në veri janë dëgjuar alarmet. Pas këtyre alarmeve ka pasur grumbullim të qytetarëve serbë dhe bllokim të rrugëve.

Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të bllokimit të rrugëve ka mbyllur për qarkullim pikën kufitare në Jarinjë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin pika të tjera kufitare për të hyrë në Kosovë ose për të dalë nga Kosova.

Bllokimi i rrugëve ka ardhur pas njoftimit se nga Policia e Kosovës është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq.

Sipas Policisë, Pantiq po dyshohet se ka organizuar sulmin në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues të Kosovës.

Ndërkaq, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas konsultimit me partitë politike ka vendosur të shtyjë për më 23 prill 2023 zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë dhe kuvendet komunale të 4 komunave të veriut.

Vendimin e kanë përshëndetur vendet e QUINT-it.

Sot, minisioni i BE-së për sundim të ligjit në Kosovë – EULEX konfirmoi se një patrullë e saj është sulmuar mbrëmë me shok-bombë.