Haradinaj ‘lavdron’ Devollët për punësime, Konjufca e kritikon për ikje të përgjegjësisë

Në seancën e jashtëzakonshme për zbatimin e Rezolutës për gjendjen në Telekom, kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj u përkujdes që edhe një herë të i jep ‘llogari’ deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Unë jam përgjegjs për gjendjen në Telekom nga dita e marrjes së përgjegjësisë, pra nuk i iki përgjegjësisë. Nga takimi i parë që kam bo me ish-drejtorin dhe sindikatën kam qenë i vetëdijshëm që e kemi një gjendje të vështirë problematike por jo të pashpresë. Ju lutem atribuomëni cilat faje i kam, nëse e keni fjalën për nepotizëm e vërtet që kan hy do njerëz nuk e di qysh kanë hy” tha ai.

Tutje Haradinaj tha që duhet ti shmangin veprimet e ngutshme sepse mund të jenë pjesë e një arbitrazhi të dytë.

“Ju siguroj që në komunikim me këta njerëz i kam thanë që do të japin llogari. Disa veprime për secilën pikë të rezolutës janë ndërmarrë, për të ju shmang një arbitrazhi të dytë më Z-mobile nuk është guxu me u ndërmarrë ndonjë veprim arbitrar. Kontrata është e lidhur me licence që e ka afatin deri në korrik, tashti ekziston një mundësi që në rinisje këta që janë në bord dhe kanë përgjegjësinë sot mos me gabu” tha Haradinaj.

Sipas tij për kontratën e dëmshme me Z-mobile nuk duhet të fajësohet kompania, por duhet të fajësohet menaxhmenti i Telekomit të Kosovës.

“Dëshira jem osht me e nxerrë këtë kompani nga gjendja e sotme, i kam intervistuar plotë njerëz të Telekomit duke i pyetur se a ka mundësi me e ngritë në këmbë këtë ndërmarrje. Biznesi privat është deklaru që e ka për profit, nëse ja nxëni për të madhe një sipërmarrësi privat që e ka për me fitu paret, fajet i përfaqësuesi i popullit që se ka mbrojte më mirë interesin e asaj që ju ka besu”, theksoi Haradinaj.

Mirëpo kreu i ekzekutivit nuk kurseu ‘lëvdatat’ për bizneset e Devollëve të cilët sipas tij paguajnë punëtoret me rregull.

“ Ky që po e anatemojmë, kaherë Devolli njoni a tjetri, po ju jap një shembull Shkelqimi Devolli, mulluni i Xerxes është veprimtari prodhuese në Kosovë, Shkelqim Devolli, punojnë rahovecianët, edhe ata janë njerëz si këta të postës, marrin rrogat me kohë. Pastaj nëse shkojmë te dyshekët që prodhohen në Pejë e Gjakovë, unë kam shku i kam pa këta punëtorë janë qindra, janë njerëz të këtij vendi, marrin rroga”, tha Haradinaj, duke i lutur që  të bëjnë kujdes me deklarime.

Pas të gjitha këtyre deklarimeve të Kryeministrit reagoi, shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, i tha kryeministrit Ramush Haradinaj  se po e bënë ‘avokatinë’ dhe se nuk po ka vullnet të qartë për ta ndaluar kontratën mes Telekomit të Kosovës dhe Z-Mobile.

“Po bëhen gati 2 vite nga qeverisja juaj dhe i keni pas argumentet në dorë se kah është drejtimi që është dashur të merrni në raport me Z-Mobile, por ju po shprehni avokati për Devollin, por nuk po thoni se kontrata me Z-Mobile është kriminale. Kryeministër dalloni qeto sene. Nuk po them asgjë për prodhimet e Devollëve, por kontrata me Z- Mobile është kriminale”, tha Konjufca.

“Po i ikni përgjegjësisë kryeministër. Nuk po shoh vullnet të qartë të ju për ta ndalur këtë kontratë”, shtoi ai.

Kurse Haradinaj tha se e mirëpret shqetësimin e secilit grup parlamentar për gjendjen në Telekomin e Kosovës.

“Krejt kanë hangër bashkë deri tash, i kanë ndarë disa privilegje ndërsa kur po e shohin që mund t’i humbin, po alarmohen. I mbaj përgjegjësitë për çdo vendim që ndodhë”, tha Haradinaj